Berisha: Pas 11 vitesh, Tirana kthehet blu

May 23, 2011 | 13:37

TIRANË- Votë plebishitare dhe fitore historike të koalicionit “Aleanca për qytetarin” dhe kthim të Tiranës blu, pas 11 vitesh. Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, teksa ka analizuar procesin zgjedhor.

Duke deklaruar se do të pritet finalizimi zyrtar i rezutatit, Berisha ka theksuar se në këtë fushatë koalicioni në pushtet pati mbështetjen më të madhe, rekord, historike në raport me kundërshtarin, duke marrë  17% më shumë vota, 140 mijë vota më shumë në mbarë vendin. “Ky është plebishit madhështor i qytetarëve shqiptarë për suksesin e reformave të qeverisjes”- tha Berisha.

Duke u ndalur në garën për Tiranën, Berisha ka deklaruar se Basha, i cili zhvilloi fushatën më qytetare deri tani është 78 vota para, pra është i fituar me rezultatin e tanishëm. “Natyrisht që pritet finalizimi i shqyrtimit të gjithë problematikës, por e vërteta si drita e diellit është se në këtë fitore të ngushtë qytetarët e Tiranës votuan Bashën më shumë se cdo kandidat tjetër”- tha ai.

Sipas Berishës, në Tiranë u realizua një proces dinjiztoz dhe kryeqytetasit i besuan kandidatit demokrat. “Fitorja në Tiranë është e ngushtë, më 14 maj rezultoi se Rama ishte 10 vota para, asnjë njeri nuk e mohoi këtë, ndonëse kemi gjithë dokumentet se në një qendër votimi në zonën 8 komisioneri socialist për të dëmtuar kandidatin tonë nuk vendosi vulën në 10 vota. Po në këtë zonë, KZAZ dominuar nga socialistet, nuk pranoi të përfshijë në tabela 46 vota”- tha ai.

Ai akuzoi liderin e PS-së, për dezinformim të qytetarëve me cdo kusht e cdo cmim.

“Ky sistem bazohet te kontesti, ai që mendon se do të prekë kontestin, ai i bie murit me kokë. Më 12 maj, kur kandidati ynë ishte 1 mijë vota para ne  kërkuam të evidentohet cdo votë e hedhur në kutinë e garave të tjera, jemi parti e votës së lirë e nuk lëkundemi, nuk ka asnjë të na imponojë të mos qëndrojmë me fuqinë e ligjit prapa votës së qytetarëve shqiptarë”- theksoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura