Berisha: Nuk votoni imunitetin se ju ikën bamirsat e Topit

Aug 7, 2012 | 12:14

Maxhoranca dhe opozita kanë shkëmbyer replika e akuza në Parlament gjatë diskutimit të amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës. Kryeministri Berisha kërkoi votat e opozitës për heqjen e imunitetit, duke thënë se vota kundër do të pengojë marrjen e statusit të vendit kandidat.

Ai tha se Partia Socialiste, me qëndrimin që po mban, kërkon imunitet për t’u mbrojtur nga përfshirja e eksponentëve të saj në vrasje dhe trafik droge.

“Janë revole imunitare, por ju themi qytetarëve se ju jeni vrasës, ju që qëlloni, ju jeni vrasës të këqij, kurse ne jemi imunitarë. Na falni, por revolet tona janë imunitare?! Ne heqim imunitetin, por ne nuk votojmë për heqjen e imunitetit, sepse edhe ju u thoni qytetarëve se edhe neve na pëlqen pluhuri i bardhë, pak nuhasin, por tjetrën e transportojnë. Kur ndrikullat dhe kumbarët e drogës qarkullojnë me veturat tona, ata nuk mund të preken se janë vetura imunitare. Ju të tjerët jeni trafikantë të urryer dhe ju duhet të përballeni me ligjin dhe drejtësinë si kriminelë, kurse ne jemi imunitarë. Nuk jemi ne si ju”, u shpreh Kryeministri në fjalën e tij.

Sipas Berishës disa nga deputetët socialistë nuk kanë më sot mbështetjen e disa krerëve të institucioneve si Prokuroria, gjykatat e SHISH, të cilët ai i quajti “bamirsat” e Topit. “Ju duhet imuniteti se ndonjë prej jush shkon dhe i thotë doganierit lëvize traun, ju duhet imuniteti se ndonjëri prej jush përdor pasaportën dhe imunitetin për transporte të dyshimta transkufitare. Prandaj, tani që ju ikën bamirsat e Topit, ndiheni shumë të kërcënuar, ndaj dhe duhet të bëhemi të vërtetë sot. Topin e zgjidhët mirë ju, e futët në thes, por keni hallin e bamirësve të tij”, tha kryeministri.

Në të njëjtën kohë ai akuzoi edhe deputetët Sadri Abazi e Fidel Ylli se kërkojnë mbrojtje nga imuniteti për të grabitur pronat dhe paratë e qytetarëve me lojërat e fatit.

Deputeti i qarkut të Beratit, Ylli, iu kundërpërgjigj Kryeministrit duke thënë: “E shoh që jashtë Parlamentit të gjithë diskutojmë, dhe themi që është teatër. Unë e kuptoj që Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën dhe shumë aktorë të tjerë për të cilët kam respekt, i ke nxjerrë në vend të dytë se je bërë një aktor i paparë për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se ne nuk duam ta heqim imunitetin. Kam qenë pa imunitet në vitin 1996, kur SHIK-u yt me Gazideden në krye dogji gazetën ‘Koha Jonë’ dhe bar ‘West’, ku rrinte opozita shqiptare, rrinin këta ministra që ke sot ti në panel. Mendoja se një ditë do të kërkoje ndjesë. Më 2005-n iu sule një biznesi të ligjshëm dhe e shkatërrove me vendime gjykate dhe Përmbarimi”.

Adi Shkembi

 

(Debatin e plote e lexoni ne numrin e sotem te gazetes Panorama, versioni print)

© Panorama.al

Te lidhura