Berisha: Nuk prekemi nga kriza greke

Sep 22, 2011 | 10:59
Berisha me sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se kriza që ka kapur Greqinë, nuk ka pasur pasoja negative në vendin tonë. Në një intervistë për rrjetin “CNBC Europe”, foli për krizën e vendit fqinj dhe efektet e saj. “Pa dyshim, kriza e borxhit në Greqi dhe euro-kriza në tërësi, nuk kanë pasur një impakt pozitiv në vendin tim, për shkak të faktit se pothuajse një milion shqiptarë punojnë në Greqi. Megjithatë, deri tani mund t’ju siguroj se nuk ka pasur asnjë pasojë negative madhore. Së pari, bankat greke në Shqipëri mbahen shumë mirë, janë serioze dhe po performojnë mirë. Së dyti, shqiptarët që po vijnë nga Greqia, po investojnë në biznese të reja. Kështu, numri i bizneseve të reja në vendin tim, vitin e kaluar u rrit, dhe po rritet me 40 për qind. Ne po e ndjekim me shumë kujdes zhvillimin e kësaj krize në Greqi dhe rreth e rrotull nesh”, u shpreh kreu i Ekzekutivit. Ndërkohë, ditën e djeshme Kryeministri ishte i ftuar i nderit për të bërë mbylljen e sesionit ditor të bursës së mirënjohur amerikane NASDAQ, në Times Square, New York. Ai u prit nga zëvendëspresidenti i NASDAQ, David Wicks, i cili bëri më pas prezantimin e Kryeministrit Berisha, si personaliteti botëror që, sipas traditës të kësaj burse, do të bëjë mbylljen e sesionit ditor të saj. Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, Berisha u shpreh se “liritë ekonomike në Shqipëri u rritën me 50 për qind. Vendi im ka një ekonomi solide. Ndërkohë, investimet e huaja direkte në botë nga viti 2007 deri në vitin 2010 ranë me 37 për qind, në Shqipëri u rritën me 315 për qind. Eksportet u rritën me 300 për qind dhe kjo falë modelit tonë ekonomik, të bazuar tërësisht në liritë”. Pasi Berisha shtypi zilen e mbylljes së bursës, rezultoi se ajo ishte me 0.84 pikë më mirë se një ditë më parë. Gjatë takimit në forumin “Klinton”, Berisha u takua edhe me Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton.

Partneriteti për qeverisje të hapur
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, kreu i qeverisë mori pjesë në nismën e Presidentit Obama “Partneriteti për qeverisje të hapur”. Lidhur me këtë takim, Berisha tha se “Presidenti Obama mbajti këtu një fjalë jashtëzakonisht të rëndësishme, në të cilën komentoi  zotimet që qeveritë duhet të marrin në mënyrë që të bëhen më të hapura e transparente ndaj vendeve të tyre”.

© Panorama.al

Te lidhura