Berisha: Një humbje e madhe për Shqipërinë

Dec 3, 2011 | 16:24
Sali Berisha dhe Sabri Godo

Kryeministri, Sali Berisha u ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi familjarëve të të ndjerit Sabri Godo dhe Partisë Republikane të Shqipërisë.

Më poshtë mesazhi i plotë i kryeministrit, Sali Berisha për familjen e Sabri Godos.

“Ndarja nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, politikanit të urtë dhe të mençur, themeluesit të Partisë Republikane në Shqipëri, shkrimtarit të shquar dhe mikut tim, Sabri Godo, është një humbje e madhe për ju, politikën dhe letrat e Shqipërisë.

Sabri Godo ishte një nga personalitetet e shquara të mendimit politik dhe letrave të vendit, i cili dha një ndihmesë të çmuar në zhvillimet politike të njëzet viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e ligjeve të vendit, dialogut dhe mirëkuptimit midis shqiptarëve. Me mjeshtërinë e Tij të madhe, talentin e rrallë, Ai ishte kolosi i romanit historik në letrat shqipe, të cilat i pasuroi me vepra të pavdekshme.

Me ndarjen nga jeta të Sabri Godos politika shqiptare humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual shqiptar humbi njërën prej mendjeve më të ndritura të saj, letrat shqipe korifeun e romanit historik të tyre”..

© Panorama.al

Te lidhura