Kryeministri Sali Berisha është nisur sot për një vizitë në Norvegji, ku do të takohet dhe zhvillojë bisedime me homologun e tij norvegjez Jens Stoltenberg, pas të cilës, do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Sipas zyrës së kryeministrit, Berisha do të ketë një audiencë me Lartmadhërinë e Tij Mbretërore, Princin e Kurorës Haakon Magnus, si dhe do të zhvillojë takime me Zëvëndëspresidentin e Parlamentit zotin Per-Kristian Foss dhe me përfaqësues të delegacionit norvegjez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Kryeministri Berisha shoqërohet në këtë vizitë, nga një delegacion me përfaqësues të bizneseve shqiptare, kryesisht në fushën e energjetikës dhe të teknologjisë së informacionit. Së bashku me ta, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik, të organizuar nga shoqatat norvegjeze që përfaqësojnë bizneset e hidro-energjetikës dhe teknologjisë së informacionit. Kryeministri do t’i drejtohet Forumit me një fjalë prezantuese të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, reformave ekonomike e fiskale të qeverisë shqiptare dhe veçanërisht, në potencialet e mëdha që ofron Shqipëria dhe klimën tepër të favorshme për investimet në vend.
Në këtë kuadër, Kryeministri do të takohet me përfaqësues të bizneseve të mëdha norvegjeze që kanë investuar apo kanë në synimet e tyre të investojnë në Shqipëri, si Statkraft, Statoil, Hydroplan Green Ëorld, Pasco energy, Ëestcon Technology, Açenture, Alarga, GIEK etj.
© Panorama.al











