Berisha në OKB, takim me nënsekretarin e SHBA, Burns

Sep 19, 2011 | 11:54

Kryeministri Sali Berisha është nisur dje për në SHBA, ku do të marrë pjesë në debatin e sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të mbajë një fjalim në seancë plenare. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave, kreu i ekzekutivit do të zhvillojë një takim me nënsekretarin e Shtetit për çështjet politike, zotin William Burns. Një takim të veçantë, Kryeministri Berisha do të ketë edhe me delegacionin e Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Presidentja Atifete Jahjaga. “Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja zonja Liri Berisha, do jetë i pranishëm në pritjen që do të japë Presidenti Obama për nder të delegacioneve pjesëmarrëse në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin për shtyp. Një dimension i rëndësishëm i vizitës dhe axhendës së Kryeministrit në New York do të jetë edhe ai ekonomik. Kryeministri do të marrë pjesë në hapjen e Forumit të parë të Investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit dhe sipërmarrjes amerikane. Gjatë qëndrimit në New York, Kryeministri Berisha do të vizitojë bursën e New York, NASDAQ, ku do të bëjë mbylljen e një prej sesioneve ditore të bursës, në Wall Street. Kjo ceremoni do të shoqërohet edhe me transmetimin përreth një orë në ekranin që ndodhet në sheshin e Times Square në New York të një videoje promovuese me imazhe nga Shqipëria.

© Panorama.al

Te lidhura