Kryeministri Sali Berisha ndodhet per nje vizite zyrtare ne Norvegji, gjate te ciles do te takohet dhe zhvillojë bisedime me homologun e tij norvegjez Jens Stoltenberg.
Sipas zyres per shtyp te kryeministrit mesohet se në axhendën e vizitës, krahas takimeve me autoritetet e larta norvegjeze, një vend të rëndësishëm zë dimensioni ekonomik.
Për këtë qëllim, Kryeministri Berisha shoqërohet në këtë vizitë, nga një delegacion me përfaqësues të bizneseve shqiptare, kryesisht në fushën e energjetikës dhe të teknologjisë së informacionit.
Së bashku me ta, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik, të organizuar nga shoqatat norvegjeze që përfaqësojnë bizneset e hidro-energjetikës dhe teknologjisë së informacionit.
Kryeministri do t’i drejtohet Forumit me një fjalë prezantuese të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, reformave ekonomike e fiskale të qeverisë shqiptare dhe veçanërisht, në potencialet e mëdha që ofron Shqipëria dhe klimën tepër të favorshme për investimet në vend. Berisha do të ftojë sipërmarrësit norvegjezë të investojnë në Shqipëri, duke i garantuar se çdo projekt i tyre këtu do të jetë një histori suksesi për ta.
Në këtë kuadër, ai do të takohet me përfaqësues të bizneseve të mëdha norvegjeze që kanë investuar apo kanë në synimet e tyre të investojnë në Shqipëri, si Statkraft, Statoil, Hydroplan Green World, Pasco energy, Westcon Technology, Accenture, Alarga, GIEK etj.
© Panorama.al











