Berisha në Izrael: Palestina ka sabotuar procesin e paqes

Nov 22, 2011 | 8:58

Kryeministri pritet nga Presidenti Peres e Kryeministri Netanjahu. Izraeli: Së shpejti do të hapim ambasadën tonë në Tiranë

Sipas gazetës vendase “Jeruzalem Post”, kreu i qeverisë shqiptare e mbajti këtë qëndrim në takimin me kryetarin e Knesset, (Parlamentit) Reuven Rivlin. “Përpjekja për të anashkaluar Izraelin dhe SHBA është një gabim. Paqja ndërmjet Izraelit dhe Palestinës mund të vijë vetëm përmes negociatave të drejtpërdrejta të cilat sjellin siguri për të dy shtetet”- citon kryeministrin Jeruzalem Post. Ndërsa kryetari i Parlamentit, Reuven Rivlin, vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha në krye të qeverisë shqiptare për reformat e rëndësishme, të cilat e kanë transformuar Shqipërinë. Ai u shpreh se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe se “në Izrael e vlerësojnë atë që Kryeministri Berisha ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj edhe presim që Shqipëria t’i bashkohet së shpejti Bashkimit Europian”. “Më tej, Kryeministri e njohu zotin Rivlin me reformat e thella e të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat kanë bërë të mundur një zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e klimës më të favorshme për biznes e investime. Kryeministri e njohu kryetarin e Parlamentit edhe mbi potencialet e Shqipërisë në fushën e energjisë, mineraleve, turizmit, tregtisë, investimeve, ujërave, ujësjellësve, infrastrukturës etj.”, theksohet më tej në njoftimin e Kryeministrisë. Gjatë qëndrimit në Izrael Berisha u takua edhe me kryeministrin Netanjahu.
Ambasada
Izraeli do të hapë së shpejti ambasadën e tij në Tiranë. Kjo iu bë e ditur Kryeministrit Sali Berisha gjatë vizitës treditore në Tel Aviv. “Me rastin e vizitës së Kryeministrit Berisha në Izrael, zv.kryeministri dhe ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Avigdor Lieberman, shtroi një darkë mirëseardhjeje për nder të tij dhe delegacionit që e shoqëronte, e cila kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore. Gjatë darkës u vlerësua vizita e Kryeministrit Berisha si një kontribut i rëndësishëm në zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe bashkëpunimit midis dy qeverive e vendeve. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Lieberman, i dha Kryeministrit Berisha lajmin e mirë se së shpejti Izraeli do të hapë ambasadën e tij në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Takimet në Izrael, Berisha i nisi me Presidentin e këtij vendi, Shimon Perez. Berisha i cilësoi marrëdhëniet politike dypalëshe si të shkëlqyera dhe e risiguroi Presidentin për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët, në veçanti në fusha si ato të bujqësisë, arsimit, turizmit, energjetikës, teknologjisë së informacionit etj. “Presidenti Shimon Peres vlerësoi si shembull modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që ekziston në Shqipëri, e veçanërisht për ndjenjat miqësore ndaj popullit hebre. Ai i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e kombit dhe shtetit të tij për qëndrimin e qeverisë shqiptare në favor të paqes e sigurisë në këtë rajon”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp të qeverisë shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura