TIRANE- Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka udhëtuar sot drejt Francës, ku si i ftuar nderi do të marrë pjesë në Seminarin “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”. Seminari i organizuar nga ministri francez i Energjitikës, Eric Besson dhe nën kujdesin e Presidentit, Nikola Sarkozi do të mbahet në datat 5 dhe 6 janar.
Kryeministri Berisha do të mbajë një fjalë në ditën e parë të punimeve të tij, në panelin me temë “Cilat janë fuqitë e reja?”, i cili synon të vërë në pah ato vende, ekonomitë e të cilave njohën rritje ekonomike, në kuadrin e përgjithshëm të krizës dhe të recesionit ekonomik botëror.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha do të paraqesë modelin liberal ekonomik të ndjekur nga qeveria shqiptare dhe reformat strukturore të bëra prej saj, si çelësi i suksesit ekonomik të Shqipërisë dhe faktorët themelor që Shqipëria i rezistoi krizës ekonomike finaciare botërore, duke patur rritje ekonomike.
Kryeministri Berisha do të marrë pjesë gjithashtu në pritjen e organizuar nga Presidenti i Francës. Nicolas Sarkozy, për nder të pjesëmarrësve në Seminar.
© Panorama.al











