Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga “Foltorja e dytë” para Kryeministrisë, akuzoi qeverinë dhe zv/kryeministren Belinda Balluku për megaaferat korruptive me tenderimet dhe prokurimet.
Ai tha se “rrugët e Lubi Ballukut po shemben njëra pas tjetrës”, teksa vlerat e prokurimeve janë rritur me disa herë me qëllime korruptive dhe ndërtimet janë kryer pa asnjë cilësi.
Berisha kujtoi se në kohën kur qeveriste PD rrugët ndërtoheshin me cilësi dhe skarpatat nuk shembeshin si ato të qeverisë aktuale dhe të zv/kryeministres Balluku. Madje kreu i opozitës theksoi se edhe me inceneratorët u vodhën 450 mln euro në shtatë vjet pa djegur asgjë veç parave të shqiptarëve, kurse AKSH-i është një kopsht privat i kryeministrit.
“Kanë vjedhur 50 mln euro te tuneli i Llogarasë, por e vërteta është mbi 90 mln euro. Por kjo shumë duhet ta dini se është shumë më pak se një e qinta apo e dyqinta që kanë vjedhur këta hajdutë të pafytyrë. Jemi i vetmi vend në botë që në një hark kohor shtatë vjeçar janë shpenzuar mbi 400 milionë euro për djegësit e Elbasanit, Fierit, e Tiranës, asnjëri nuk ekziston. I Tiranës nuk ka asnjë tullë se i ka vjedhur Rama me Veliajn. AKSHI është kopshti i Edi Ramës, se baxhanaku i tij ka vjedhur miliona e miliona euro. Çfarë i ka ndodhur atij? Asgjë, se vazhdon të vjedhë”, tha Berisha para mbështetësve.
Më tej akuzoi Ballukun edhe për skandalin e Unazës së Madhe, që e ndau 13 kilometra rrugë në 14 lote për qëllime përfitimi dhe me një preventive 22 mln euro për kilometër, kurse në kohën e PD-së ndërtoheshin me 3,8 mln euro kilometri.
“Unaza e Madhe, mediat kanë publikuar Lotin 4, por a e dini se janë 14 Lote ku Lubi Balluku me Ramën e rritën koston e Unazës në 450 mln euro. Por Unaza nga Tegu te Teknologjiku është ndërtuar nga ne, por cila është kostoja? 3,8 mln euro. Cila është kostoja e kilometrit sot, 20-22 mln euro km. Çdo Lot, jo vetëm te ai katër. Cila qeveri ndan 13 km rrugë në 14 Lote? Si e si të vjedhë më shumë”, tha Berisha.
Në fund ai analizoi gjendjen e rrugëve në Shqipëri, që aktualisht po shemben njëri pas tjetrit.
“Pse prishen skarpatat e rrugëve, si ajo e Tepelenës apo Qukësit, sepse janë të rrëshqitshme. Pse nuk lëvizin ato të tjerat, ik shikoni si janë. Kurse rrugët e Lubi Ballukut u shemben njëra pas tjetrës. Skarpatat janë edhe më të rëndësishme se rruga, ja shikoni se çfarë ndodh tani, kanë katërfishuar edhe çmimet”, tha kreu i selisë blu.
© Panorama.al












