Nga protesta e zhvilluar para Kryeministrisë, profesori i njohur Lush Susaj ka mbajtur një fjalim ku ka drejtuar kritika të forta ndaj qeverisë dhe sistemit arsimor në vend, duke u ndalur veçanërisht te gjendja e studentëve dhe universiteteve shqiptare.
Susaj theksoi se se universitetet, sipas tij, janë kthyer në “strehë korrupsioni”, ndërsa akuzoi se në sistemin arsimor nuk u jepen mundësi atyre që e meritojnë.
“Universitetet e Shqipërisë, klika sorosiane i ka kthyer në strehë korrupsioni. Nuk u jepet mundësi intelektualëve, por spurdhjakëve e nepotizmit të partisë. Sot shkolla nuk u vu në funksion të qytetarëve, por të hajdutëve”, deklaroi ai.
Susaj deklaroi po ashtu se në krye të institucioneve arsimore vendosen individë të partisë dhe kryeministrit, ndërsa theksoi se studentët nuk janë dëgjua kurrë për shqetësimet e tyre.
Susaj: Përshëndetje të nderuar bashkëqytetarë. Shpreh respekt për çdo protestues, sepse sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm, dhe jo për sehirxhinj. Shpreh mirënjohje dhe dhimbje për studentët e Shqipërisë, pjesa më delikate dhe më e masakruar në këto 35 vite. O shqiptarë, o bashkombasit e mi, nuk ka vend më keq se Shqipëria që ka masakruar shkollat.
Të nderuar studentë, ju flet një njeri që fëmijën e vetë e ka arsimuar në Shqipëri. Universitetet e Shqipërisë, klika sorosiane i ka kthyer në strehë korrupsioni. Nuk u jepet mundësi intelektualëve, por spurdhjakëve e nepotizmit të partisë. Sot shkolla nuk u vu në funksion të qytetarëve, por të hajdutëve.
Kurrë studentët dhe nxënësit e Shqipërisë, nuk i dëgjoi kurrë njeri, por në krye të shkollave u vunë njerëz të partisë dhe të kryeministrit. Bëhuni njerëz të përgjegjshëm. Mos vononi më kurrë hasnim e fëmijëve tuaj! Bëhuni të përgjegjshëm dhe votoni ata që ju mbajnë në universitete.
© Panorama.al











