Berisha: Ne, 140 mijë vota më shumë. Tirana, blu

May 16, 2011 | 15:00
Berisha dje në konferencë shtypi

TIRANË- Kryeministri i vendit, Sali Berisha, njëherësh kreu i PD-së, duke deklaruar se Tirana ka votuar blu, ka falenderuar zgjedhësit që i besuan reformave të qeverisë dhe i dhanë koalicionit “Aleanca për qytetarin” 140 mijë vota më shumë se koalicioni rival.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha ka deklaruar se “sipas rezultatev të shpallura nga KQZ zgjedhësit i dhanë ‘Aleancës për qytetarin’, 140 mijë vota më shumë se koalicionit ‘fajin e ka Saliu”.

Sipas tij, kjo është një mbështetje madhështore e vlerësimit të ndershëm që qytetarët shqiptarë ju bënë reformave të thella të kësaj qeverie, arritjeve të tyre historike në mbështetje të reformave, transformimeve të vendit, që po shkon drejt finalizimit të sistemit rrugor ndër më modernët në Europë.

Duke u ndalur në garën për Tiranën, Berisha ka theksuar se 7 minibashki u fituan nga përfaqësuesit e koalicionit të djathtë.

“Tirana votoi për veten e saj, kjo është një fitore e thellë, e paprecedentë, që nga 15 vitet e fundit. Tirana votoi blu se fushata këtu u drejtua në shkallën më të lartë të qytetarësisë nga kandidati Lulzim Basha, ai ia doli me fushatën e tij, si më kanë shkruar shumë nga qytetarët në mesazhet e tyre, festivali më i bukur elektoral, Tirana e meritonte këtë”- tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura