Berisha nderon Dëshmorët: Të lirë e më afër BE

May 5, 2011 | 10:27

TIRANË- “Nderimi më i madh që mund t’u bëhet idealeve të lirisë eshte të votojmë si qytetarë evropiane, per nje komb qe sheh nga Europa”. Keshtu eshte shprehur kreu i qeverise pas homazheve ne Varrezat e Deshmoreve, me rastin e 5 majit, te cilin e ka quajtur ditë të mirënjohjes së madhe, respektit dhe nderimit të pakufijshëm ndaj atyre që ranë për atdheun dhe familjet e tyre.

Pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve, bërë vetëm një orë pas asaj të kreut të opozitës, Berisha vlerësoi punën e madhe që është bërë për zhvillimin e vendit.

“Sot ne i nderojmë ata me krenari, sepse kurrë ndonjëherë më të sigurta idealet e tyre të lirisë nuk kanë qenë se në ditët e sotme. Flamuri për të cilin ata ranë është përkrah flamujve në Bruksel. Shqiptarët janë më të lirë se kurrë në këtë 5 maj, lëvizim të lirë, i nderojmë ata sepse jemi më afër realizimit të integrimit në BE”- tha Berisha.

Ai bëri thirrje për nderimin e lirisë dhe vlerave të saj dhe përsërtii thirrjen për pjesëmarrje në votime.

“8 maji është dhe dita e Europës, e ngadhënjimit. Shqiptarët të shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur qeveritarët vendorë, nderimi më i madh që mund t’u bëhet idealeve të lirisë, të votojnë si qyetetarë evropiane”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura