Berisha: Të lirohen barrierat. Liri ekonomike

Sep 28, 2011 | 11:43

TIRANË- Liria ekonomike dhe avancimi me reformat,  sipas kreut të qeverisë, Sali Berisha është e vetmja mburojë ndaj krizës ekonomike. Në fjalën e tij në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha ka kërkuar nga ministrat e kabinetit angazhim serioz për lirimin e të gjitha barrierave dhe eleminim të gjithë burokracive në dhënien e lejeve, duke i mundësuar lehtësira biznesit në fushën e tij.

“Ministrat e Financës dhe Ekonomisë të zbrazin të gjitha barrierat, ato që burokratët nuk i shqisin nga duart. Nuk mund të ketë barriera për tregtinë e lirë dhe duhet gjithcka të trajtohet në frymën e këtyre treguesve. Kriza ekonomike në zonën euro është krizë që vjen në thellim, e cila nuk do jetë afatshkurtër dhe ne në mënyrë absolute nuk kemi mburojë tjetër përvec lirisë ekonomike, avancimit të vazhdueshëm të reformave ndaj duhet t’i marrim këta tregues”- tha Berisha.

Ai theksoi se aktualisht jemi në vendin e 30 në botë, nga 46 që kemi qenë dhe duhet të bëjmë gjithcka të ecin drejt vendeve të para, si rruga e vetme për të shndërruar në vlera për qytetarët pasuritë e këtij vendi.

Ai ka kërkuar nga ministrat të analizojnë cfarë ka bërë secili për të privatizuar asetet që janë në varësi e pronësi të ministrisë së tij, për të dhënë me koncension, apo përdorim.

Sipas kreut te qeverise, shqipëria ka lënë pas 12 vendet anëtare të BE-së në fushën e lirisë ekonomike dhe kjo është një arritje e madhe.

Sipas kryeministrit Shqipëria i ka shpëtuar recesionit dhe krizës ekonomike si pasojë e modelit ekonomik dhe lirisë ekonomike, nderkohe qe raporti i BB-së thekson se qeveria shqiptare është 1 nga 10 administratat më të vogla. Ne kete kuader Berisha ka garantuar se nuk do te kete fryrje te administrates.

© Panorama.al

Te lidhura