Berisha: Me Ramën rrëzova Nanon. Kreu i PS: Saliu, rrenacak pa cak

Dec 5, 2011 | 12:40

“Sheshet e MJAFT i mbushte PD, Nano pastaj i la vendin e kryetarit”.

Kryeministri Sali Berisha u takua dje me të rinjtë e qytetit të Durrësit, pak ditë para 8 dhjetorit. Në bisedën me studentët e këtij qyteti, kreu i qeverisë tha se në vitin 2004 bashkëpunoi me Ramën për të rrëzuar Fatos Nanon. Ai kritikoi ashpër liderin e opozitës për qëndrimet që ka mbajtur në librin e tij “Kurban” ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij.
Kohët e fundit janë shkruar dy libra. Ne jemi kuriozë të dimë a i keni lexuar “Kurbanin” e Ramës dhe “Enver Hoxhën” e Fevziut? Ka një përpjekje për të shkruar histori. A mendoni se ka ardhur koha për t’u rishkruar historia?
Në këtë rast më ka ndodhur e kundërta. Normalisht, unë duhet të lexoja librin e kundërshtarit politik, sepse librat e kundërshtarëve duhet t’i lexosh gjithnjë. Nuk e kam lexuar, por kam ndjekur mediat, shtypin e shkruar dhe kam lexuar shumë paragrafë dhe pasazhe të tij. Si rregull, unë nuk lexoj memorie, kam një koncept timin për memoriet, por nuk më ka penguar kjo që ta lexoj. Libri, siç keni konstatuar, është përgënjeshtruar universalisht, sepse rezulton që autori, gjatë shkrimit të tij, ka harruar se janë me qindra dëshmitarë, të cilët i njohin ngjarjet ndryshe nga ato që i përshkruan ai. Por edhe kjo nuk është një pengesë serioze për mua, për ta lexuar. Z. Rama ka të regjistruar në politikë zinxhirin më të gjatë të disfatave politike. Politika është fitore e disfata, por zoti Rama ka zinxhirin më të gjatë të disfatave absolute dhe rezulton se ai nuk është marrë aspak me analizën e tyre, çka do të më interesonte, sepse njeriu në politikë është i detyruar të analizojë fitore dhe humbje dhe analizimi i fitoreve dhe i humbjeve në politikë është detyra më e vështirë për politikanin. Këtë ai e ka injoruar. Ka edhe një moment përse unë nuk e kam lexuar. Nuk e kam lexuar, sepse nga pasazhet që ka botuar shtypi, rezulton se ai operon në mënyrën më të vjetër me armikun e brendshëm, dhe kjo për njeriun e lirë është kryekëput e papranueshme. Gjatë 20 viteve në politikë unë kam pasur dhe kam me dhjetëra bashkëpunëtorë, që sot bashkëpunojnë me mua, ose që kanë kaluar në kampet e tjera. Po marr dy prej tyre, Spartak Ngjelën dhe Preç Zogajn. Dua t’ju tregoj një gjë intime. Sa herë që bie fjala për ta, absolutisht, kujtoj vetëm momentet e bashkëpunimit me ta. Sa herë që bie fjala për avokatin, unë kujtoj fushatën e tij, me të cilën ai kontribuoi, për kryetar Bashkie për Tiranën dhe e mundi zotin Rama. Tani ju e dëgjoni vetë se çfarë flet e thotë ai në media. U ndala në këtë moment për të thënë se nuk mund të operosh kurrë, nuk mund ta trajtosh bashkëpunëtorin tënd si një armik. P.sh., merrni qëndrimin e zotit Rama ndaj ish-Kryeministrit Fatos Nano. Fatos Nano ka qenë kundërshtari im më kryesor. Unë dhe ai jemi në dy kampe, por mënyra sesi e përshkruan ai Fatos Nanon, absolutisht është mënyra më primitive njerëzore, e cila është identike me ato të Enver Hoxhës për Haxhi Lleshin, për Zai Fundon apo për ndonjë tjetër, të cilin ai e ka ekzekutuar. A mund të pajtohemi me këtë? Të ndalemi te ky moment. Dakord, Sali Berisha është armiku i jashtëm për të dhe le të shkruajë. Unë nuk e konsideroj armik atë. Absolutisht jo. Por një njeri që e mori nga Parisi dhe e bëri ministër, të cilin e kandidoi për kryetar Bashkie dhe kryetar Bashkie e bëri Partia Socialiste, pasi nuk bëhet kush kryetar Bashkie në Tiranë pa parti. Nuk ka njeri që të fitojë individualisht, pa mbështetje partiake, në Tiranë, cilido qoftë ai mbi këtë tokë. Pra, ky njëri e solli nga Parisi, e bëri ministër, e propozoi për kryetar Bashkie dhe në fund, ai punoi së bashku me mua për rrëzimin e tij, se sheshet e MJAF-it i mbushte PD-ja. Duhet ta shohësh të vërtetën siç është, në sy, sepse këtë e dinë të gjithë. E rrëzova dhe çfarë bëri ai? I ofroi postin e kryetarit të partisë dhe iku, por edhe mund të mos ikte. Zotëria ka pësuar vetë personalisht disfatë pas disfate, edhe disfatën më të rëndë personale, e nuk ikën. Fatos Nano humbi zgjedhjet dhe iku, ka qëndruar në interferencë. Tani, kur ti merr dhe shkruan me kaq urrejtje ndaj tij, ti shpalos klishenë më të vjetër të doktrinës totalitare, se vetëm aty mund të gjesh një qëndrim të tillë. E njëjta edhe ndaj Ilir Metës, i cili në Partinë Socialiste ka merita shumë të mëdha. Kur ata deputetë bënin rezoluta në Parlament kundër meje, kundër Partisë Demokratike, për anëtarësimin në NATO dhe rezolutat kundër janë njëra pas tjetrës, Ilir Meta ishte kundër, Pandeli Majko ishte kundër, sepse ata ishin pro Aleancës së Atlantikut. Ata mbanin me vete atë ideal të lëvizjes studentore dhe ata mund të ishin në Partinë Demokratike, por zgjodhën Partinë Socialiste dhe nuk bënë gabim, e zgjodhëm me qëllim rinovimi. Ndaj, kur ti vjen dhe e gjen gati, ti, me bashkëpunëtorët e tu, duhet të mendosh se sot është një botë e lirë, nuk është më koha e diktaturës. Këta janë fatlumë, se ky do t’u bënte atyre atë që u ka bërë Enveri kundërshtarëve. Ndaj, nuk mund të lexohet ky libër, sepse përbën në këtë aspekt modelin më primitiv të qëndrimit, model klasor tipik, sepse vetëm kur udhëhiqesh nga lufta e klasave, mund t’ia lejosh vetes të shkruash për ata me të cilët ke një përpjekje të përbashkët. E them edhe njëherë, unë nuk shkruaj memorie, por nuk mund të konceptoj kurrë që për ish-bashkëpunëtorët e mi të shkruaj duke shkelmuar mbi meritën e tyre. Lexoni librin e dytë, mbi diktatorin. Autori ka paraqitur në mënyrën më të dokumentuar mizoritë e tij për të mbajtur pushtetin. Libri nuk ka paraqitur batërdinë e tij nëpërmjet urisë dhe sëmundjeve, por ka paraqitur të gjithë qëndrimet e tij dhe pa asnjë pasion politik. Gjykojeni vetë. Ai ka paraqitur qëndrimin e tij ndaj çështjes kombëtare, ka paraqitur me gojën e tij, me ditarin e tij, se çfarë qëndrimi kishte dhe sesa i nënshtruar ishte ai ndaj Dushatit dhe Popoviçit. Mendoj se ky libër hedh dritë mbi bazë dokumentesh, gjer sot, asnjë të përgënjeshtruar. Kush ishte Enver Hoxha? Një vrasës që në vitet e para të karrierës së tij politike. Një diktator i egër, i cili eliminoi një nga një bashkëpunëtorët dhe shokët e tij. Imagjino pastaj se çfarë ndodhte më të tjerët. Të tjerët ishin anonim për të. Jeni shumë fatlumë që në memorien tuaj ju nuk keni copëza të asaj periudhe, e cila për të gjithë ata që e kanë jetuar është një jetë e këputur, janë vite të këputura jete, në variantin më real. Pra, libri ndriçon dhe historinë që për mendimin tim, duhet të shkruhet. As ju nuk e njihni historinë, as unë nuk e njoh historinë e vendit tim. E kam theksuar dhe e theksoj se mund të njoh shumë mirë historinë e një vendi tjetër, por jo të vendit tim, sepse ajo ishte e ndaluar dhe thellësisht e interpretuar mbi bazën e kultit të diktatorit, se si të ndërtohej kulti i diktatorit, ku banditi ishte bërë hero dhe themeluesit ishin shndërruar në tradhtarë. Cila është historia sot? Cila duhet të jetë e vërteta e dokumenteve? Ne kemi histori qëndrese, kemi pasur dritëhijet tona, kemi bërë gabimet tona. Por kurora me pavarësinë e Kosovës bëhet një histori ndër më të ndriturat e një kombi. Një komb jetim, një komb, i cili historikisht, gjatë shekullit që shkoi, është mbështetur fuqishëm nga SHBA-të dhe ka fituar. Ne duhet t‘i nxjerrim dhe ju duhet t‘i mësoni. Shqiptarët duhet ta mësojnë historinë e tyre, siç ishte. Ajo nuk ka qenë kurrë rozë, nuk ka qenë kurrë kryekëput në pozitive dhe negative, siç duan ta paraqesin sot, me klishe tërësisht negative. Historia duhet të dalë siç është dhe unë besoj se ky vit, viti i 100-vjetorit të pavarësisë, do të jetë një frymëzim i madh për historianët tanë, do të jetë një frymëzim i madh për studiuesit tanë, që të nxjerrin të vërtetat historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ju keni drejtuar vendin dy herë. Cila ka qenë reforma juaj më e vështirë?
Moment tjetër i vështirë, shumë i rëndë për mua, ishte momenti i skemave piramidale. Ne nuk dinim se çfarë ishin. Ato filluan në vitin ‘91 dhe në mënyrë absolute, asnjëri nuk kishte dijeni se çfarë ishin ato, të paktën për mua. Cilat ishin njohuritë për to? Do t’ju jap një shembull, më 17 janar të vitit ‘96, guvernatori i Bankës Qendrore më bën një letër, ku më paralajmëron për rrezikun e tyre dhe më kërkon që ato të shndërrohen në banka. Imagjinoni, edhe ai vetë se çfarë koncepti kishte, që do ishte katastrofa më e madhe, nëse ato do të shkonin drejt bankave. Ato vetëm banka nuk mund të shndërroheshin kurrë. Ato u fuqizuan shumë, gjykata u dha të drejtë atyre, për fat të keq, dhe vendosëm që cilado që ishte piramidë ta bllokonim. I bllokuam dhe tani momenti ishte në ‘97. Kundërshtari im u tha qytetarëve se do të paguante çdo qindarkë. Të paguaje çdo qindarkë do të thoshte t‘ua merrje paratë atyre që nuk kishin marrë pjesë në skemat piramidale dhe t‘ua jepje atyre që kishin humbur paratë. Kjo nuk kishte moral. Kishte të bënte edhe me një moment tjetër. Në disa momente, kombi është si individi dhe nuk ka individ ta pranojë një borxh që se ka marrë. Borxhi është i vjetër sa njeriu dhe unë ju thashë jo, nuk mund të paguaj asgjë. Një borxh që nuk është marrë, nuk mund të njihet. Shkova në një postulat të lashtë dhe i qëndrova atij. Nuk mund të bëja një akt të tillë moral, sepse kjo do të thoshte ta njihja një borxh që nuk ishte marrë kurrë nga qeveria dhe u vërtetua që qeveria nuk kishte prekur asnjë qindarkë prej tyre. Duhej që të merrja para të taksapaguesve, që nuk ishin angazhuar në skemat piramidale dhe të shpërbleja këta të tjerët. Nuk e bëra. Gjithnjë e kam pasur në ndërgjegjen time, nëse e pata drejt apo bëra gabim, dhe nuk besoj se kam bërë gabim, sepse ajo krizë u kalua, megjithëse pati pasojat e veta, por u kalua në rrafshin ekonomik, shumë më shpejt, sesa nëse krijoheshin spirale për zvarritjen e saj. Së dyti, morali është moral. Njeriu  nuk mund ta njohë një borxh që nuk e ka marrë.
Si mendoni ta zgjidhni çështjen e pronave?
Faleminderit për pyetjen. E drejta e pronës është e drejtë themelore kushtetuese për qytetarin, por e vërteta është se ajo është elementi më themelor i këtij sistemi. Në këto 20 vite, kjo e drejtë ka njohur zhvillimet e veta, duhet të them në masën dërrmuese mbi 80%, kjo e drejtë ka marrë zgjidhje ligjore, kushtetuese. Kjo e drejtë nuk do të thotë se është zgjidhur, se edhe 1% po mbeti pa zgjidhur duhet të zgjidhet, sepse, siç thashë, është e drejtë themelore kushtetuese. Nuk është statistika ajo që i jep përgjigje problemit, këtu është zgjidhja, përgjigja. Cili ka qenë qëndrimi ynë? Ka dy qëndrime. Ka një qëndrim të kompensimit simbolik, dhe e kanë ndjekur disa vende. Ne nuk kemi ndjekur këtë qëndrim. Ne kemi ndjekur qëndrimin e njohjes në vlerën e tregut, që është shumë herë më e kushtueshme. Ne kemi ndjekur këtë qëndrim si zgjidhjen më të plotë. Cili është stadi aktual? Stadi aktual është se ne po punojmë shumë, megjithëse ka probleme të mëdha me pronën, që krijohen me mbivendosjet, keqvendosjet dhe falsifikimet, me këto mekanizma të përdorura gjerësisht, për fat të keq, që do të marrin përgjigje nëpërmjet hartës dixhitale. Ne po ndërtojmë regjistrin e tokës. Dhe regjistri dixhital i tokës, pas regjistrit të gjendjes civile, është regjistri më i rëndësishëm i vendit. Pas ndërtimit të regjistrit, puna nuk ndërpritet. Por ky regjistër do t‘i japë vlerësim të plotë dhe real të gjitha përmasave të problemit. Dhe unë sërish jam me idenë se ne duhet t‘i qëndrojmë parimit të tregut, ndonëse është më i zgjatur, sepse kërkon burime shumë më të mëdha financiare, por e bën të drejtën e plotë.

Rama: Saliu, një rrenacak pa kufi
Kryesocialisti Rama u është përgjigjur dje deklaratave të bëra nga Kryeministri në adresë të tij dhe librit “Kurban” nga adresa e tij në rrjetin social Twitter. Edhe pse ndodhej në Shkup, Rama ka ndjekur çdo deklaratë të Kryeministrit, duke e cilësuar atë rrenacak. “Unë punoja me Saliun për të rrëzuar Nanon? Aq sa ç’kam punuar me këtë rrenacak pa cak për të shkruar në libër se çfarë mendoj për Fatosin. Është keqardhje të kesh një lexues të gjynahtë si Saliu që merret me librin gjithë ditën, po nuk thotë dot që e ka lexuar!”, shprehet Rama në dy komente të tij rreth deklaratave të Berishës. Dje, kryesocialisti ishte në Shkup, ku ka promovuar librin e tij “Kurban”. Në orën 18:00, Edi Rama ishte në qendrën teatrore për fëmijë, në lagjen “Çarshi e vjetër”, ku diskutoi dhe ndau pikëpamje me lexuesit rreth librit më të ri të tij dhe ku ka ndarë autografe. Por para promovimit të librit, Rama zhvilloi një takim me kryetarin e LSDM, Branko Cervenkovski.

© Panorama.al

Te lidhura