“Buna e lundrueshme, projekt për thellimin”

Jan 26, 2012 | 18:35

TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha në mbledhjen e kabinetit, pasi ka falënderuar homologun malazez dhe gjithë të tjerët për mikpritjen gjatë vizitës së tij, ka bërë të ditur projektet për të cilat është rënë dakord mes palëve.

“U ra dakord të fillohet menjëherë shqyrtimi i projektit për thellimin në Bunë, që mund të nënkuptojë Bunën e lundrueshme dhe kjo të ndodhë sa më shpejt. Në Shkodër, bashkia sipas një marrëveshje duhet të ndërtojë molon që do lidhë Shkodrën me linjë ujore. Turistët e Ulqinit, Tivarit, Shkodrës, Velipojës, të mund të shijojnë një tur ujor në njërin prej komplekseve ujore më të bukura të planetit”- tha Berisha.

Ai ka deklaruar se projekti duhet të nisë sa më shpejt, ndërkohë që duhet të nisë me shpejtësi Ura në hyrje të Shkodrës, urë që hapet dhe që lejon lundrimin.

“Ekonomia turistike po shndërrohet në kryesoren, për këtë zonë ajo mund të jetë më kryesorja, ndaj duhen investime”- tha ai.

Me Malin e Zi është diskutuar subvencion për krocierat. “Është në detyrimin tonë që një pjesë të të ardhurave nga turizmi t’ia kthejmë po turizmit”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura