
Kryeministri Sali Berisha ka shkuar dje në Sanatorium për të bërë një vizitë për frymëmarrjen. Kreu i qeverisë është parë rreth orës 19:00 të futet në spital dhe ka qëndruar aty për rreth 40 minuta. Burime spitalore bëjnë të ditur për gazetën se ai ka bërë një skaner dhe testet e frymëmarrjes, kontrolle rutinë këto, të cilat kanë dalë mirë. Kreu i qeverisë nuk ka dalë në publik në dy ditët e fundit. Berisha ishte të martën në Konferencën Kombëtare për Zhvillimin Rajonal me temë “Bashkojmë politikat dhe praktikat”, që u organizua nga Ministria e Integrimit dhe rreth mesditës priti në zyrën e tij ambasadorin e Danimarkës, Karsten Jansen, me rastin e largimit të tij nga Shqipëria. Të mërkurën, ndryshe nga javët e kaluara, nuk u zhvillua mbledhja e Këshillit të Ministrave. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë nuk ishte i pranishëm dje në Parlament, në një seancë e cila zgjati më pak se 60 minuta. Për herë të fundit, shëndeti i kreut të qeverisë u rëndua në dhjetor të vitit të kaluar gjatë festës së PD-së, ku ai pati ulje tensioni.











