TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke shprehur revoltimin e tij nga zvarritja e procesit të Gërdecit ka garantuar banorët e kësaj zone se qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë që drejtësia të bëhet. Deklarata është bërë sot gjatë një takimi, që Berisha zhvilloi me një përfaqësi të komunitetit të banorëve të Gërdecit, të bashkisë Vorë dhe kreun e bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili.
“Ka qenë jashtëzakonisht e hidhur për mua zvarritja e gjykimit. Të jeni të sigurt se jam shumë i prekur dhe i revoltuar nga kjo zvarritje. Ne e kemi ndjekur dhe jemi jashtëzakonisht të interesuar që të bëhet drejtësia. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë që drejtësia të bëhet”, tha kryeministri.
Ai ka përsëritur gatishmërinë e qeverisë për mbështetjen dhe ndihmën për cdo banor. Sipas Berishës, qeveria do të marrë përsipër pa asnjë mëdyshje qiratë dhe ndihma të tjera.
Në takim, kryetari i bashkisë ka përcjellë kërkesat e banorëve për të cilat Berisha ka garantuar mbështetje dhe lehtësira për përmirësimin e jetesës së banorëve.
© Panorama.al











