Berisha mbyll fushatën, s’përmend Ramën

May 5, 2011 | 11:16

Me një panoramë të projekteve të realizuara gjatë viteve në pushtet dhe premtime në infrastrukturë e turizëm i ka mbyllur dje takimet elektorale kryeministri Berisha në Shkodër e Durrës.Ndryshe nga ditët e tjera, ai nuk ka atakuar kundërshtarin politik të Partisë Socialiste, Edi Rama, por vetëm ka shprehur mbështetjen për kandidatët e koalicionit “Aleanca për të qytetarin”, Lorenc Luka në Shkodër dhe Ferdinand Xhaferraj në Durrës. Lideri i maxhorancës garantoi në këto dy bashki investime të mëdha gjatë katër viteve që do të vijnë, duke i ftuar njëkohësisht qytetarët që me votën e tyre ta shndërrojnë 8 majin në festën e madhe të demokracisë shqiptare, në festën e idealeve europiane të Shqipërisë.
Shkodër
Duke i konsideruar shkodranët si besnikët më të mëdhenj të idealeve të lirisë, Berisha tha se 8 maji është zgjidhja dhe zgjedhje për të sotmen e të ardhmen. Ai i garantoi shkodranët se vota për Lorenc Lukën është para së gjithash votë për punësimin, për infrastrukturën më moderne, për arsimin europian, turizmin dhe integrimin. “Ne që shembëm ‘Murin e Berlinit’ në Shqipëri, që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, që hoqëm vizat dhe lëvizim të lirë, nuk ka mur që nuk shembim. Ne ecim të sigurt në rrugën tonë drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Europë. Vota më 8 maj për Lorenc Lukën, për qytetarët e tjerë të parë të komunave dhe bashkive tuaja, është votë për infrastrukturën më modernë në Shkodër, në komuna, në të katër anët e këtij vendi”, tha Berisha, ndërsa u zotua se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e investimeve të mëdha në kampusin e universitetit, në institucionet kulturore, artistike, në mbarë shkollat e kopshtet shkodrane. “Për sa kohë t’i besoni Partisë Demokratike, kjo parti, kjo qeveri, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj e çdo vit do t’i shtrojë vetes pyetjen: çfarë të bëj më shumë për qytetarët e Shkodrës, çfarë të bëj më shumë për qytetarët e Shqipërisë? Ne jemi të bindur se sado që të bëjmë, nuk arrijmë kurrë të bëjmë atë që ju keni bërë dhe bëni për Shkodrën, keni bërë dhe bëni për Shqipërinë”, shtoi Berisha, i cili më pas u zhvendos në Durrës.
Durrës
Kryeministri i vendit e ka cilësuar direkt kryebashkiak kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ferdinand Xhaferajn. “Jemi sot për të festuar vendimin e secilit prej jush, vendimin e  qytetarëve të Durrësit për të votuar më datë 8 maj zotin Ferdinand Xhaferaj si qytetar të parë të Durrësit, si kryetar të ri të Bashkisë. Duke paraqitur dhe njëherë Ferdinand Xhaferrajn, ju garantoj se programi i tij për Durrësin e këtij shekulli do të mbështetet me të gjitha potencialet nga qeveria shqiptare”, deklaroi Berisha. Sipas tij, vota për Xhaferrajn është votë për shndërrimin e Durrësit, si një gjenerator gjigand i krijimit të vendeve të punës. “Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferajn do t’i hapë rrugën krijimit të mijëra e mijëra vendeve të punës, në turizëm, industri, arsim e të gjitha fushat. Do të jetë votë për Durrësin me infrastrukturën më moderne në Shqipëri”, tha Berisha, duke u zotuar se gjatë këtij mandati, maxhoranca do të asfaltojë çdo rrugë dhe rrugicë, çdo shesh të këtij qyteti dhe do të ndërtojë një nga bulevardet më madhështore në Shqipëri, bulevardin “Durrës-Kallm”. Ai shtoi se vota për Xhaferajn do të jetë votë për jetën akademike dhe universitare të qytetit, ndërsa në katër vitet e ardhshme do të zhvillohen potencialet turistike e kulturore. Berisha i garantoi qytetarët durrsakë se nuk do të ngelet asnjë kilometër rrugë pa shtruar dhe se qyteti do të furnizohet me ujë 24 orë. Sakaq, Berisha tha se zhvillimi do të shtrihet në planin turistik, industrial, ekonomik dhe atë social. Më tej ai shtoi se në 4 vitet e ardhshme Durrësi do të jetë nga vendet më të zhvilluara të Adriatikut dhe Shqipëria nga vendet më të zhvilluara të rajonit.

Shkodër, kandidati i bojkotuar nga PD në mitingun e Berishës

SHKODER – Gjatë takimit përmbyllës në Shkodër të Aleancës për Qytetarin, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, nuk ka munguar që të rreshtohet përkrah kandidatëve për kryetarë bashkish e komunash edhe Qamil Xhureta. Megjithëse një ditë më parë drejtuesit më të lartë të PD-së në Shkodër dhe në qendër deklaruan distancimin dhe bojkotimin e kandidaturës së tij si i zgjedhur i koalicionit në komunën e Bërdicës, republikani Xhurreta u ka “shpëtuar” organizatorëve dhe është rreshtuar fill prapa zonjës Topalli, për të treguar se ai e ka punën “mirë” me Tiranën. Burime nga selia e PD-së në qendër bëjnë të ditur se rreshtimi i Xhurretës përkrah drejtuesve të PD-së nuk është pritur mirë nga asnjë prej të pranishmëve, por për hir të mbarëvajtjes së mitingut nuk kanë dashur që të krijojnë ndonjë situatë të pakëndshme. Ndërkohë që në rreshtimin e kandidatëve nuk ka munguar as kandidati i pavarur i kësaj komune, Besnik Tahiri, i cili tashmë, de fakto, është kandidati i PD-së për këtë komunë.

Mediu: Partitë t’i lënë konfliktet
Partia Republikane mbështeti dje në Kombinat kandidaten për kryetare minibashkie nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luzhiana Abazi, përfaqësuese e koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Duke theksuar se Abazi do ta kthejë këtë minibashki në derën e hapur dhe në familjen e madhe të të gjithë banorëve të Kombinatit, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, deklaroi: “Qëllimet e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian janë qëllime që duhet të kalojnë çdo dallim apo konflikt politik, të tejkalojnë çdo individ apo ambicie”. Sipas tij, maxhoranca do të përkushtohet për të materializuar projekte të reja dhe për ta kthyer Shqipërinë në një treg të favorshëm për investime të huaja.

Spahiu: Të bashkohen trojet shqiptare
Kavaja ka qenë “stacioni” i radhës për Partinë Lëvizja e Legalitetit, ku kryetari i saj, Ekrem Spahiu, dha mbështetjen për konkurrentin e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Refik Rrugeja. “Legaliteti, që nga krijimi i saj, ka kërkuar bashkimin kombëtar. Trojet etnike në një shtet të vetëm janë rruga e vetme për të gjithë shqiptarët. PLL është partia besnike e moralit kombëtar, është partia e kujtesës historike dhe trashëguesja e traditave më të mira shqiptare. Legaliteti ka sensin e drejtësisë njerëzore sepse ka frikë nga drejtësia hyjnore”, tha Spahiu, i cili ka kërkuar votën e kavajasve për këshilltarët e PLL-së.

Helsinki: Fushata zgjedhore, e tensionuar

Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi një raport paraprak, ku përmblidhen disa nga rezultatet e vëzhgimit të procesit parazgjedhor. Standardet e procesit parazgjedhor, thuhet në raport, nga të dhënat e deritanishme nuk të bëjnë të jesh tepër optimist, për sa i përket plotësimit të standardeve demokratike dhe për zgjedhje të lira e të drejta. Listat paraprake dhe ato zgjedhore, sipas këtij Komiteti janë shpallur me vonesë dhe nuk është zhvilluar asnjë lloj sensibilizimi për zgjedhësit. “Vëzhguesit tanë kanë informuar se një numër jo i vogël qendrash votimi janë vendosur në lokale private. Është e vërtetë që ligji e lejon, thuhet në raport, por vetëm në raste të veçanta dhe vetëm me vendimin e KQZ-së. Ka pasur pretendime se disa nga këto qendra, si për shembull në Kamzë, janë vendosur në lokale private, pronarët e të cilave kanë lidhje miqësore me këtë ose atë kandidat”. Kjo problematikë e ngritur nga Komisioni Shqiptar i Helsinkit është vërejtur edhe në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009, ku komisionerët e majtë nuk janë lejuar të futen në disa qendra votimi të vendosura në ambiente private në Kamzë, për të përmbushur misionin e tyre.

 

ELISABETA ILNICA

 

© Panorama.al

Te lidhura