Berisha: Maqedonasit në Shqipëri do shkollohen në gjuhën që duan

Nov 9, 2011 | 17:39

SHKUP- Kryeministri Sali Berisha duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij Gruevski në Shkup, tha se pakica maqedonase që jeton në Shqipëri do të ketë mundësinë të shkollohet në gjuhën e vet.

I pyetur nga gazetari se “…maqedonasit në Shqipëri do të kenë mundësi për arsimim në gjuhën maqedonase, ashtu siç kanë shqiptarët në Maqedoni?”, kryeministri u shpreh; Dua t’ju siguroj se maqedonasit dhe çdo qytetar i Shqipërisë ka pasur, ka dhe do të ketë të drejtë të pamohueshme për t’u shkolluar në gjuhën që do. Vendi ka standardet më të mira, sipas dokumenteve ndërkombëtare të arsimimit të pakicave.

Gjatë kësaj konference kryeministri, Berisha tha se marrëdhëniet mes dy vendeve do të konsolidohen edhe më tej. Kryeministri përmendi disa projekte që do të mundësojnë afrimin midis dy vendeve.

“Në një hark kohor dyvjeçar, distanca midis Shkupit dhe Tiranës do të shkurtohet në njërin aks, atë Shkup-Dibër-Tiranë, me 103 kilometra, në aksin tjetër Shkup-Strugë-Tiranë së paku me një orë. Së shpejti do të fillojë kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim. Do shqyrtojmë infrastrukturën doganore për ta bërë atë më të lehtën. Ne do të bëjmë gjithçka që potencialet turistike të vendeve tona të vihen në dispozicion të turistëve të vendeve tona dhe turistëve nga mbarë bota.”- tha Berisha ndër të tjera.

Shqipëria përshëndet progresin e madh që Maqedonia ka bërë , vazhdoi më tej Berisha, duke shtuar se, Maqedonia faktikisht ka plotësuar kriteret për anëtarësimin në NATO.

“De fakto Maqedonia është një anëtare e NATO-s”- tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura