TIRANE- Prioritet kryesor te qeverise e ka quajtur kryeministri Sali Berisha, zgjerimin e lirise se medias, si nje nga shtyllat themelore te demokracise.
Deklarata eshte bere sot gjate takimit qe kreu i qeverise zhvilloi me përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatovic.
Berisha nënvizoi faktin se Shqipëria në 20 vite ka bërë hapa të jashtëzakonshme në drejtim të lirisë së medias.
“Sot në Shqipëri nuk ekziston më censura ndërkohë që sektori i medias ka njohur zhvillim të jashtëzakonshëm qoftë në aspektin sasior edhe në atë cilësor”- tha Berisha.
Ai vlerësoi rolin kritik të medias ndaj punës së qeverisë dhe e cilësoi atë si një element themelor për ecjen përpara, duke luajtur rol te madh në luftën kundër korrupsionit dhe fenomeneve të tjerë negativë duke ndikuar në rritjen e transparencës.
Kryeministri theksoi që në zbatim të një premtimi elektoral të vitit 2005 është e ndaluar që zyrtarët e administratës të bëjnë kallëzime penale ndaj medias dhe rikonfirmoi angazhimin e tij në ruajtjen e këtij standarti.
Ai e informoi zonjën Mijatovic për masat e ndërmarra nga qeveria, në konsensus me opozitën, për dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes dhe rregullimin e tyre në përputhje me standartet ndërkombëtare dhe shprehu gatishmërinë për depenalizimin e plotë të këtyre veprave në Kodin Penal.
Mijatovic e vlerësoi si shumë të rëndësishëm vendimin e kryeministrit për ndalimin e kallëzimeve nga zyrtarët e administratës ndaj gazetarëve dhe vlerësoi si një pasojë të rëndësishme të kësaj mase edhe rënien e dukshme të kallëzimeve edhe nga qytetarët e thjeshtë. Ajo gjithashtu vlerësoi masat e ndërmarra nëpërmjet amendimeve të fundit të Kodit Penal për dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes si hapa shumë të rëndësishëm.
© Panorama.al











