Berisha: Lënda e Gjuhës të ndahet nga Letërsia

Sep 6, 2012 | 12:41

Gjuha shqipe në arsimin 9-vjeçar duhet të ndahet përfundimisht nga Letërsia. Duke e konsideruar një lëndë lider, Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje Ministrisë së Arsimit të rikonceptojë kurrikulat. “Në mënyrë të përsëritur është kërkuar dhe insistohet që kjo kurrikul të transformohet tërësisht. Gjuha shqipe duhet të shtrihet në të gjithë ciklin, po të jetë e mundur edhe në ciklin parashkollor, me elementet më fillestare të saj”, tha Kryeministri. Sipas tij, për të arritur këtë, duhet së pari të shmanget metoda klasike e mësimit të saj. “Duhet të bëhet kalimi i mësimit me rrokjezim. Ata të cilët qëndrojnë më lart në mësimin e gjuhës së tyre, ata kanë aplikuar prej kohësh metodën e rrokjezimit”, tha Kryeministri. Sipas tij, nëse vijohet   koncepti gjuhë – letërsi, në shkolla nuk bëhet as Gjuhë, as Letërsi. “Ndaj duhet të hyjnë sa më shpejt kurrikulat e reja. Problemi është këtu se ata të cilët i hartojnë ato, kanë në mendjen e tyre skemat klasike, sepse janë bërë ndoshta kaq shumë dekada ku Gjuha mbështillet me Letërsinë”, tha Kryeministri.
Ai foli në mbledhjen e qeverisë edhe për kategoritë që do të përfitojnë rimbursimin e teksteve shkollore. “Të gjithë fëmijët që janë në nevojë marrin librat falas që ditën e parë, ose me rimbursim 100 për qind”, tha Kryeministri.

© Panorama.al

Te lidhura