
Kreu i maxhorancës, Sali Berisha, i kërkoi Presidentit Topi të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kreut të KLSH-së. Gjatë fjalës së tij para deputetëve të grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se maxhoranca do të zbatojë përcaktimet e Gjykatës Kushtetuese. “Çfarë është zotëria që është propozuar për Kryetar të Kontrollit të Shtetit. Ka një përcaktim Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimet e saj, është normë kushtetuese, thotë se Kreu i Shtetit duhet të konsultohet me Parlamentin për kandidaturat që i sjell. Presidenti nuk do ta zbatojë këtë përcaktim, është zgjedhja e tij, por një gjë është e sigurt, po ta marrë në këtë formë, sa herë që të mos i përmbahet do të shumëzojë veten më zero, cilido qoftë, kaq është efekti”, u shpreh Berisha. Sipas tij, në krye të Kontrollit të Shtetit nuk mund të vendoset një polic, sado i suksesshëm në këtë detyrë. “Ligjet e vendit përcaktojnë disa kritere për kryekontrollorin e shtetit. Mund të kesh qenë polic i shkëlqyer, oficer policie i talentuar dhe askush në Shqipëri më shumë se unë nuk i respekton, ju garantoj, njerëzit e uniformës dhe oficerët e policisë në mënyrë të veçantë, ua dimë të gjithë hallin, por kjo nuk do të thotë se është kontroll policesk ajo që do të bësh, është kontroll tjetër”, u shpreh Berisha. Sipas tij, kandidati i propozuar nga kreu i shtetit në respekt të Kushtetutës duhet të jepte dorëheqjen. “Ka një tagër tjetër. Unë prisja nga i kandiduari të jepte dorëheqjen, si një akt përgjegjësie para ligjit dhe Kushtetutës së vendit, nuk ndodhi, por natyrisht ne i qëndrojmë Kushtetutës, ne i qëndrojmë ligjeve të vendit. Ne nuk e bëjmë këtë absolutisht si një akt karshillëku ndaj askujt. Jo, jo. Zonja apo zotëria, burri apo gruaja, që do të zgjidhet në atë post të nderuar do të ketë tagrin kushtetues për të kontrolluar gjithçka, shpenzimet, veprimtarinë buxhetore të qeverisë, të parlamentit dhe mbarë shtetit, dhe i tillë do të jetë dhe për të tillë do ta respektojmë”, u shpreh Berisha. Kreu i maxhorancës akuzoi kryesocialistin se në bashkëpunim me Presidentin kërkon të vijë në pushtet. “Ore zotëri, nuk vjen kështu në pushtet! Se institucionet nuk janë të Sali Berishës, institucionet janë të qytetarëve shqiptarë. Ata kanë dëshirë t’i respektojnë institucionet e tyre, por nuk ka sot shqiptarë, qytetarë të këtij vendi, që pas 20 vitesh të pranojë që institucionet e pavarura t’i kthejë kryetari i opozitës në partiçka. Unë ju garantoj ju se kështu vetëm sa i shton vota maxhorancës. Me këtë projekt, kjo vetëm sa na shton vota ne, po të jetë puna për vota, por ka një gjë tjetër. Dëmi që u bëhet këtyre institucioneve, shëmtimi që u behët këtyre institucioneve, është shumë, shumë i pamerituar”, u shpreh Berisha.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
“Presidenti e Kuvendi duhet të konsultohen”
Në Vendimin nr. 24, datë 09.06.2011, Gjykata Kushtetuese i kërkon kreut të shtetit të bashkëpunojë me Parlamentin për emërimet e anëtarëve të gjykatave. “Presidenti dhe Kuvendi, bazuar në parimin e luajalitetit kushtetues, duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, në funksion të sigurimit të një përbërjeje cilësore të Gjykatës Kushtetuese. Pëlqimi që kërkojnë normat kushtetuese, nënkupton një lloj konsensusi midis dy organeve kushtetuese që përfshihen në procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Pjesëmarrja e Kuvendit në këtë proces ka për qëllim balancimin e kompetencës së Presidentit në emërimin e gjyqtarëve dhe kjo vjen në harmoni edhe me parimin e ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve, të parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës”, shprehet Gjykata Kushtetuese.
Kreu i OSBE-së
Ambasadori i OSBE-së, Volfarth, e ka cilësuar mosdekretimin nga Presidenti të ligjit për importin e mbetjeve një procedurë normale. Këtë deklaratë Volfarth e bëri nga Shkodra, ku mori pjesë në disa aktivitete lokale. “Nuk ka rëndësi nëse vendimi i miratuar në Parlament është kthyer nga Presidenti ose jo, pasi edhe OSBE ka ofruar asistencën e saj për ligjin e mbetjeve. Por ajo që është më rëndësi është që Shqipëria të ketë një ligj të mirë për mbrojtjen e ambientit, sepse ka pasuri të mrekullueshme natyrore”, u shpreh Volfarth. Duke folur për situatën politike në vend, kreu i OSBE-së tha se kërkohet dialog politik mes palëve që të arrihet konsensusi dhe se ky dialog duhet të zhvillohet brenda Parlamentit.
Censusi, Berisha përshëndet procesin
“Zërat kundër për fshehje të pasurive”
Kreu i qeverisë e cilësoi të suksesshëm procesin e censusit, ndërsa nuk nguroi të akuzojë ata që ishin kundër tij. “Ky regjistrim do të ndihmojë qeverinë për ndërtimin e politikave më të drejta, duke u bazuar në demografinë aktuale dhe përbërjen e saj. “Ky regjistrim do të ndihmojë qeverinë për një vizion më të qartë në politikat e saj, në interesin më të mirë të qytetarëve. Ata të cilët bërtitën (nuk po përdor termin që u shkon) si kredharakë kundër tij, rezulton se kanë pasur vetëm një qëllim të vetëm, të fshehin pasuritë e tyre. Kjo është e vërteta. Ka qenë një grup i vogël i parëndësishëm, i identifikuar plotësisht. Por këta zotërinj nuk mund t’i shpëtojnë rrezes së transparencës, pasi rezulton qartësisht se frika për pasuritë e tyre ka qenë dhe shkaku kryesor i fushatës që bënë dhe që morën shpërblimin që merituan”, u shpreh Berisha.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











