TIRANË- Kreu i qeverisë ka kërkuar nga kryekomunarët zbatim të drejtë të ligjit, mbledhje të taksave dhe përmbushje të përgjegjësive ndërsa ka garantuar se ata do të kenë të gjitha atributet ligjore për t’iu përgjigjur kërkesave të komuniteteve që drejtoni.
“Shpreh kënaqësinë se fondet janë katërfishuar për qeverinë vendore, sikundër është bërë një përpjekje serioze për transferimin e pronave në drejtim tuaj dhe ju garantoj se qeveria nuk ka ndërmend të mbajë asnjë pronë tuaj në territorin e saj”- tha ai.
Berisha ka bërë me dije se këto është miratuar ligjin që ju jep komunave ato kompetenca që më parë i ka pasur parlamenti. “Ju më shumë se kushdo tjetër mund të ndërmerrni politika zhvillimore në komunat tuaja, ju më mirë se kushdo tjetër duhet të ruani dhe mbroni territorin dhe mjedisin. Qeveria nuk dëshiron të proporcionojë gjërat me performancën fiskale, por kjo është kohë e vështirë dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme se performanca fiskale për shtetin ligjor, lirinë e tregut”- tha ai.
Sipas tij, nuk ka asnjë rrugë tjetër përvec decentralizimit të mëtejshëm fiskal. “Nëse ju doni të ushtroni pushtetin që meritoni në komunën tuaj, ju duhet të keni vëmendje absolute në performancën fiskale, realizimin e të ardhurave dhe kontrollin e shpenzimeve”- tha ai.
© Panorama.al












