Berisha: Koalicioni im, 6 % më tepër

May 14, 2011 | 10:41

Kryeministri Berisha tha dje në mbledhjen e qeverisë se maxhoranca me Aleancën për qytetarin morën më 8 maj një votë referendare më shumë se koalicioni opozitar.“Kisha deklaruar se do t’ia uroja fitoren kundërshtarit tim, nëse do merrte dhe një votë të vetme ndaj koalicionit që unë drejtoj. Por e vërteta është se logot politike të këtij koalicioni janë në avantazh me 6%. Merr kjo një domethënie të fortë, se kundërshtari mori një fushatë kundër kësaj qeverisje me një referendum popullor. Mendoj se sovrani foli me një formë referendare, duke i dhënë 6% më shumë vota Aleancës për Qytetarin”, u shpreh kryeministri gjatë mbledhjes së qeverisë. Sipas Berishës, populli me anë të votës zgjodhi t’i besojë investimet qeverisë që po e drejton aktualisht dhe se ky është ogur i mirë dhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. “Vota politike iu besua atyre që kanë politikat më të besueshme. Kjo votë politike dua të them përbën jo vetëm rifreskim të fuqishëm të shqiptarëve për maxhorancën, por kjo përbën dhe një fitore të garantuar të kësaj maxhorance për vitin 2013”. Berisha theksoi se tashmë pritet rezultati i Tiranës që është kthyer në ankth se cili do e marrë Bashkinë më të madhe në vend. “Presim rezultatin e Tiranës, kjo e Tiranës si kryeministër, nuk më takon ta them, më duket si një fitore shpirtzgjedhëse, cilido ta ketë atë”, u shpreh kryeministri, duke theksuar se “po pres rezultatin përfundimtar për të përgëzuar më pas fituesin”. Kreu i qeverisë tha se këto zgjedhje dëshmuan se në këtë vend çdo votë numërohet më me përgjegjshmëri e saktësi se në çdo vend tjetër. “Këto zgjedhje dëshmuan dhe një herë se në këtë vend çdo votë numërohet më me përgjegjësi e saktësi se në çdo vend tjetër. Votat po numërohen në mënyrën më korrekte, kjo është rritje e demokracisë shqiptare.”

PDIU: Vota zë i fortë kombëtar

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet falënderoi dje të gjithë qytetarët që i kanë besuar votën e tyre një partie me profil të qartë kombëtar në vend. Drejtori i marrëdhënieve me publikun në këtë parti, Ardit Bido, tha dje se “PDIU siguron se vota juaj do të jetë një votë për një zë të fortë kombëtar në të gjithë vendin, kudo ku na keni besuar fitoren e kandidatëve tanë. Votat e PDIU janë vota të pastra, fal besimit të qytetarëve shqiptarë tek fryma dhe parimet tona. Ne nuk kemi asnjë votë të kurrkujt. Votat e qytetarëve janë përgjegjësi dhe detyrim për ne që të vijojmë rrugën tonë e një partie kombëtare dhe garant i dinjitetit të shqiptarëve”, u shpreh Bido.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura