TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se synohet që viti 2017 ta gjejë vendin të zhvilluar e me të ardhura të larta. Duke folur gjatë inaugurimit të sallës së re “Silvano Pedrollo”, në korpusin qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, Berisha ka cilësuar arsimin si Leva e Arkimedit për zhvillimin e vendit.
“Shqipëria nuk është ende një vend i pasur, por është një vend me hap të shpejtë zhvillimi. Ambicia jonë është: viti 2017, Shqipëria vend i zhvilluar. Këto 20 vite, ne kemi ecur me vështirësi, por më shpejt se çdo komb tjetër në rrugën e lirisë. E kemi nisur si një nga 2-3 kombet më të varfra në botë, me rreth 204 dollarë për frymë në vitin 1992, por sot renditemi ndër kombet me të ardhura të mesme të larta”- tha Berisha, gjatë ceremonisë.
Sipas tij, kjo është një rendje drejt së ardhjes dhe absolutisht, nuk ka asnjë mekanizëm tjetër më të fuqishëm, sesa arsimimi dhe shkollimi. Duke u ndalur te arsimi ai ka garantuar se qeveria është e vendosur të mbështesë studentët që fitojnë të drejtën për të ndjekur 15 universitet më të mira të botës, të mbështesë çdo doktoratë e master ekstra universitar në universitete më të mira.











