Berisha: Jo ndryshimit të kufijve, humbasim territore

Dec 17, 2011 | 11:44

Tirana zyrtare është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Qëndrimin e ka konfirmuar dje Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me studentë të ardhur nga Gjilani. Sipas tij, prekja e kufijve aktualë do të shënonte humbje të territoreve shqiptare. “Interesi jetik i shqiptarëve për të ruajtur këta kufij është sepse shqiptarët nuk duhet të pranojnë, në asnjë rast e në asnjë rrethanë tjetër, të humbasin qoftë dhe një metër katror tokë të tyre. Në rast se shqiptarët, të supozojmë për një moment se do të kërkonin ndryshimin e këtyre kufijve, në një rivizatim tjetër, unë ju garantoj se do të shënonte humbje të pamerituar të territoreve shqiptare. Nuk duhet të harrojmë se këto territore, në një të shkuar absolutisht jo të largët, janë shtrirë nga kufiri me Bullgarinë deri në Novi Pazar e më thellë. Sot nuk janë më ata kufij, ndaj edhe në qëndrimin tonë ne duhet të jemi të durueshëm”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, që nga koha e Skënderbeut, pavarësia e Kosovës është mrekullia më e madhe e shqiptarëve. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi gjithashtu se projekti i bashkimit të shqiptarëve është projekti i integrimit në BE. Berisha vlerësoi gjithashtu se “copëtimi i shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha në fillim të shekullit të kaluar, është një nga aktet më të padrejta që është bërë, por që fatmirësisht u korrigjua me mbështetjen që i bënë çlirimit të Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës së Hagës, e cila, duke legjitimuar pavarësinë e Kosovës dhe duke e përputhur atë me të drejtën ndërkombëtare, de facto hodhi poshtë të gjitha traktatet që ndanë e copëtuan shqiptarët”. DURRËS-KUKËS Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve nga Kosova, kreu i qeverisë shqiptare akuzoi sërish Edi Ramën dhe Partinë Socialiste se ka lobuar kundër ndërtimit të rrugës Durrës- Kukës. Berisha tha se armiq të rrugës kishte nga jashtë vendit, por edhe brenda Shqipërisë teksa përmendi një argument, sipas të cilit kërkohej që rruga të mos ndërtohej për shkak se fuqizohej Porti i Durrësit dhe dobësohej ai i Selanikut. “Lidhur me Rrugën e Kombit, zoti Rama, të paktën, me qindra herë është ngritur kundër saj dhe unë dua t’ju them se Rruga e Kombit është kundërshtuar në mënyrën më të egër nga lobe antishqiptare dhe së pari, nga jashtë Shqipërisë, të huaj; së dyti, ka pasur mbështetje edhe brenda vendit. Përse u kundërshtua? Përse kishte një armiqësi të madhe ndaj saj? Eksponentë me një formim politik arkaik e konsideronin Rrugën e Kombit, së pari si një rrugë që do të bashkonte shqiptarët dhe, sipas tyre, shqiptarët nuk duhet të bashkoheshin. Së dyti, në rrafshin gjeopolitik, në një vështrim historik të së shkuarës së largët e jo fort të largët, ka ekzistuar gjithnjë një rivalitet midis Portit të Durrësit dhe atij të Selanikut. Kur është zhvilluar njëri, ka rënë tjetri. Këta individë e grupe mendonin se Rruga e Kombit do të dëmtonte thellësisht portet e rajonit”, u shpreh më tej Kryeministri. Ai shtoi më tej duke thënë se “pikëpamja jonë dhe e vërteta është se këto grupe bënë gjithçka për ta penguar ndërtimin e saj. Por nuk mund ta pengonin, sepse ajo ishte një vepër publike që ndërtohej në territorin e Shqipërisë dhe Shqipëria është një vend sovran e vendimet e mëdha i merr vetë, më mënyrën më të qartë”.

Rama: E sfidoj Berishën ta provojë se isha kundër Rrugës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar dje lidhur me akuzat e Kryeministrit Berisha, cili tha se kreu i opozitës ka kundërshtuar ndërtimin e Rrugës së Kombit i mbështetur nga lobe antishqiptare. Pas përfundimit të takimit të parë të Kryesisë së re të PS-së, Edi Rama u shpreh se Kryeministri duhet t’i rishikojë deklaratat, pasi asnjë nga deputetët e majtë nuk ka sulmuar projektin e rrugës Durrës- Kukës, por vjedhjet që, sipas tij, i janë bërë nga pushtetarët. “U informova për çka Saliu ka shprehur sot në prani të studentëve nga Kosova. E kam sfiduar dhe e risfidoj të provojë me një dokument të vetëm që unë apo cilido nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste të jetë shprehur kundër Rrugës së Kombit si projekt”, deklaroi kreu i selisë rozë. Lideri i opozitës, Rama, e ka cilësuar si të turpshëm faktin se rruga Durrës-Kukës është shndërruar në një sipërmarrje fitimprurëse, duke grabitur ato të ardhura të mbledhura nga taksat e qytetarëve. “Ndërkohë që i rithem turp, turp, turp që me Rrugën e Kombit keni bërë një biznes fitimprurës duke grabitur fondet e atyre taksapaguesve shqiptarë që kanë kontribuuar të gjithë së bashku për ndërtimin e asaj rruge”, pohoi kreu i PS-së. Me herët, shefi i qeverisë, Sali Berisha, u shpreh se rivali i tij ka sulmuar në mënyrën më të egër ndërtimin e Rrugës së Kombit, i sponsorizuar nga lobe antishqiptare nga brenda dhe jashtë vendit.

© Panorama.al

Te lidhura