
Kryeministri Sali Berisha u shfaq dje për herë të parë para mediave që pas rëndimit të gjendjes shëndetësore në ceremoninë e 21-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. Kreu i qeverisë e nisi mbledhjen e përjavshme të kabinetit duke u ndalur te sëmundja e tij, për të cilën tha se ishte lipotimi e lidhur me një virozë. “Sot është një rend shumë i ngjeshur dite, por natyrisht, mediat që janë dyfish të pranishme sot, presin këtu deklaratën time për gjendjen shëndetësore. Ndjehem shumë mirë. Ajo që pësova në datën 12 dhjetor ishte një episod, sipas mjekëve, por edhe sipas anamnezës sime, pasi edhe ajo ka vlerën e vet, ishte një episod lipotimie i lidhur me një virozë”, u shpreh kreu i qeverisë në fillim të mbledhjes. Ai bëri të ditur gjithashtu se kjo gjendje që iu shfaq në festën e themelimit të PD-së, i është përsëritur edhe dy herë të tjera, në vitin 1988 dhe një herë pas dhjetë vjetësh. Por, sipas Berishës, kjo e treta ishte më e lehtë. “Ky ishte i treti që unë kam pësuar gjatë jetës sime. I pari ka ndodhur në vitin ’88 dhe në realitet ishte më i forti, gjë që më imponoi të bëj një ekzaminim të të gjitha sistemeve dhe që gjithçka dolën intact. Pra, ishte në kuadrin e një viroze. Viruse që, me sa duket, kanë potenciale të ndikojnë ose të krijojnë episod të tillë, por e vërteta është se si virozë ajo nuk ishte e fuqishme. Rasti tjetër ka ndodhur në Vlorë, dhjetë vjet më vonë, në vitin ’98. Ajo ishte në kuadrin e një viroze më të fuqishme. Dhe rasti i tretë, që ishte i çuditshëm se ishte më i lehti, ishte edhe ky në sfondin e një viroze”, u shpreh më tej Berisha. “Shpjegimi për këtë është hiperenergjia. Në tërësi këto japin temperaturë të lartw, kurse një organizëm që reagon fuqishëm ndaj tyre, ose reagon me energji të mëdha, krijohen me sa duket episode të tilla, të cilat kanë ardhur në zvogëlim në fuqitë e tyre. Pra, ndjehem shumë mirë. Nga një check up që u bë rezultoi se në sistemin e të gjitha enëve të qarkullimit të gjakut të Sali Berishës nuk gjendet as edhe një pllakë e vetme ateromatoze, ateroskleroketike. Kjo do të thotë sistem që nuk ka moshë. Kisha bërë një kontroll me të gjitha para dy vitesh, madje desha edhe ta botoj, por e lashë. E bëra përsëri tani dhe u kërkua nëse kishte ndonjë pllakë të vogël kund, por ato ishin të lëmuara, pothuajse siç kanë lindur, natyrisht, jo si të asaj moshe”, vijoi më tej kreu i Ekzekutivit.
Falënderimi për mbështetësit
Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Berisha falënderoi qytetarët që e uruan përmes mesazheve gjatë së hënës, kur ai pati një rëndim shëndeti teksa po fliste në festën e PD-së. “Me këtë rast dua të falënderoj me shumë mirënjohje ata mijëra qytetarë, të cilët më kanë shprehur urimet e tyre dhe t’i siguroj se ato urime kanë pasur tek unë një forcë të vërtetë shëruese, sepse episodet nuk janë vetëm fizike, për shembull, por edhe psikologjike. Kështu që ato ishin për mua ilaçi më i shkëlqyer”, tha Berisha.
“Rasti për t’u bashkuar me miqtë e vjetër”
Sipas kreut të Ekzekutivit, episodi i së hënës ishte një rast i mirë kur ai mund të takohej me miqtë të tij të vjetër mjekë. “Falwnderoj mjekët, të cilët trajtuan dhe shqyrtuan me shumë përkushtim dhe kompetencë të madhe këtë episod. Ishte edhe një rast për t’u bashkuar me miqtë e mi të vjetër dhe për t’u kthyer në memorien e disa kohërave të punës së përbashkët”, theksoi më tej Kryeministri. Dita e sotme pritet të jetë me intensitet të lartë pune për Berishën, që do të marrë pjesë në Parlament dhe në darkë do të jetë në emisionin “Opinion”.











