PARIS- Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Parisi se interesi për Shqipërinë dhe vlerësimi për suksesin e saj ekonomik po bëhet gjithnjë e më i madh. Ai ka qenë i ftuar dje në mesditë në pritjen e organizuar në Pallatin Presidencial Elysee nga Presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy, për nder të personaliteteve që morën pjesë në Seminarin “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, i cili u zhvillua në Paris në datat 5 – 6 janar.
Ndërkohë që më herët, Kryeministri Berisha ndoqi punimet e ditës së dytë të Seminarit, i cili u mbyll nga Kryeministri italian, Mario Monti.
Në një prononcim të dhënë për Televizioni Publik Shqiptar, pas pritjes së dhënë nga Presidenti Sarkozy, kryeministri Berisha deklaroi se për të ky ishte një rast jashtëzakonisht i veçantë. “Shqipëria u rendit në tregjet që po rriten dhe paraqita modelin shqiptar, edhe një herë, të bazuar në të gjitha arritjet e tij dhe perspektivat. Me ç’ka u pa nga takimet e djeshme dhe të sotme, e vërteta është që interesi për Shqipërinë dhe vlerësimi për suksesin e saj ekonomik po bëhet gjithnjë e më i madh”- tha ai.
Berisha e cilësoi një pritje miqësore dhe bujare që Presidenti Sarkozy shtroi për pjesëmarrësit në këtë konferencë. Në të merrnin pjesë dymbëdhjetë kryeministra, ministra Financash dhe personalitete nga vende të ndryshme, të cilët ishin të pranishëm në dy ditë debate, ndër më interesantet.
“Unë shfrytëzoj rastin të falënderoj shumë përzemërsisht ministrin Besson për ftesën që më bëri dhe të gjithë hapësirën që mu krijua në këtë konferencë, Kryeministrin Fillon për përzemërsinë që dëshmoi dje ndaj meje në hapjen e konferencës, Presidenti Nikola Sarkozy për pritjen e shkëlqyer që rezervoi ndaj të gjithë të ftuarve, ndaj kryeministrave. Ishte i pranishëm Kryeministri italian z. Mario Monti, me të cilin shkëmbeva mendime dhe biseduam shumë përzemërsisht. Ishte Kryeministri i Çekisë z. Petr Necas, si dhe ministra e zyrtarë nga vende të ndryshme.”- theksoi ai.
© Panorama.al











