Berisha flet për vizitën në SHBA, hesht për paktin e PS

Sep 27, 2011 | 11:23

Kryeministri Sali Berisha injoron paktin e propozuar nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në daljen para mediave një ditë pas kthimit nga Nju Jorku, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kreu i qeverisë foli vetëm për dy nga 10 pikat që përmban paketa e liderit të opozitës. Para deputetëve të Grupit Parlamentar, kreu i maxhorancës foli vetëm për reformën zgjedhore dhe ndryshimin e Rregullores së Parlamentit.
Reforma Zgjedhore
Megjithëse Berisha ishte një javë në Shtetet e Bashkuara së bashku me njërin nga dy negociatorët për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashin, palët në Tiranë kanë lëvizur dhe janë afruar disi në qëndrimet e tyre. Burime nga të dyja palët bëjnë të ditur për gazetën se gjatë kësaj jave mund të ketë një dalje të përbashkët para mediave me anë të një deklarate ku të konfirmohet vullneti për kryerjen e një reforme elektorale sa më të plotë. Në linja të përgjithshme për këtë çështje ka folur edhe Kryeministri, sipas të cilit, gjatë këtyre ditëve është bërë progres. “Dua të theksoj se po bëhet progres dhe jam i bindur se do të ketë progres në bashkëpunimin në reformën zgjedhore, ku maxhoranca ka qenë gjithnjë e hapur dhe mbetet e hapur të punojë me opozitën dhe të gjithë faktorët e rëndësishëm të kësaj shoqërie për të adresuar një nga një të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të dy zgjedhjeve të fundit”, u shpreh Berisha. Ndërkohë ai iu drejtua edhe medias, duke paralajmëruar një tjetër dalje ku të shprehë më gjerësisht qëndrimin e tij lidhur me politikën e ditës. “Mediat, unë e kuptoj që ju keni shumë pyetje dhe do të përpiqem t’jua jap mundësinë, por nuk e kemi bërë traditë që në mbledhjen e Grupit Parlamentar të bëjmë pyetje dhe përgjigje. Unë mbetem borxhli dhe i detyruar ndaj jush t’ju jap përgjigje për të gjitha problemet, pyetjet që keni rreth udhëtimit tim, për çështjet që unë diskutova këtu, por edhe për zhvillimet në vend”, tha Kryeministri. Në këtë pikë, gjatë ditës së sotme pritet të ketë një konferencë për shtyp nga ana e kreut të Ekzekutivit, ku ai do të flasë më gjerësisht për paketën e propozuar nga Partia Socialiste.
Rregullorja e Kuvendit
Pika e dytë në të cilën u ndal kreu i shumicës në mbledhjen me deputetët demokratë ishte ndryshimi i Rregullores së Kuvendit. Fillimisht Berisha vlerësoi Rregulloren aktuale, megjithatë la një dritare për opozitën, për ta ballafaquar atë me të Rregulloren e Parlamentit Europian. “Përsa u përket rregullave të Parlamentit duhet të garantoj çdo shqiptar se ndonëse Rregullorja e këtij Parlamenti është në standardet më të larta demokratike, ne jemi të hapur për ta konfrontuar atë nen për nen me Rregulloren e Parlamentit Europian dhe standardet më të larta të Europës dhe të botës që ekzistojnë. Ky është dhe qëndrimi ynë. Uroj dhe shpresoj që nga këto standarde të udhëhiqet dhe frymëzohet dhe opozita në Parlamentin e vendit. Kaq janë dhe komentet e mia për javën që shkoi. Para jush unë do të marr çdo pyetje”, u shpreh Berisha.

Ftesë Obamës për të vizituar Tiranën
“Pritja është një mundësi e jashtëzakonshme për të biseduar me secilin nga të pranishmit për problemet që mendon se duhet të bisedosh. Është një ceremoni, e cila zgjat rreth tri orë dhe të krijon një oportunitet të pakrahasueshëm, unik në karrierën tënde. E vërteta është që pata shumë kënaqësi për takimin me Presidentin Obama, fjalët e tij të ngrohta për Shqipërinë. Dhe unë i ripërsërita ftesën për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën Presidenti Obama e pranoi me kënaqësi”, tha Berisha.

“Pse nuk do ta votonim rezolutën për Palestinën”
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha sqaroi edhe qëndrimin që do të mbante Tirana zyrtare nëse në Asamblenë e Përgjithshme do të votonte rezolutën për pavarësinë e Palestinës. Sipas kreut të Ekzekutivit, Shqipëria mbështet pavarësinë e këtij shteti, por shtoi se është zgjidhje të qëndrueshme. “Ky konflikt është konflikti me kompleks dhe Presidenti Obama ka parashtruar një platformë. E vërteta është, më e gjera deri më sot. Natyrisht, as Presidenti Obama dhe qeveria e SHBA-ve, asnjëra prej qeverive të tjera të vendeve të mëdha apo të marra së bashku nuk mund të zëvendësojnë domosdoshmërinë jetike të dialogut midis udhëheqjes së këtyre dy vendeve, midis këtyre dy vendeve. Presidenti Obama e bëri të qartë se qeveria e tij do të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit ndaj kësaj rezolute, e cila paraqitej në mënyrë të njëanshme”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, “qeveria shqiptare ka votuar dhe do të votojë së bashku me mikun dhe aleatin e saj të madh, të gjitha problemet e mëdha të sigurisë në botë, ndaj dhe ne nuk mund ta votonim këtë rezolutë. Jam i bindur se qëndrimi im është një qëndrim i drejtë, është një qëndrim që merr në konsideratë miqësinë dhe bashkëpunimin që shqiptarët kanë me këto dy kombe, me kombin hebre dhe kombin palestinez. Do të kishte qenë shumë mirë që ata që firmosën rezolutën të merrnin zotimin solemn se me votimin e saj do të njihnin automatikisht shtetin e Izraelit, sepse  njerëzimi ka një brejtje në ndërgjegjen e vet, jo i gjithë njerëzimi, një pjesë e madhe, nuk ka gjah më të madh se gjahu që është brenda tyre, nuk ka rekord më të zi se sa Holokausti”.

“Biseda me Klinton e Thaçin”
Kryeministri ka rrëfyer para Grupit Parlamentar edhe një moment nga biseda me ish-Presidentin amerikan Bill Klinton, gjatë qëndrimit në SHBA. “Po në këtë kuadër politik, unë do të vendosja ftesën që mora nga Presidenti Bill Klinton për të marrë pjesë në punimet e Iniciativës Globale të Presidentit Klinton, që sot, në natyrën e saj, është iniciativë kryesore mbi tokë. Në këtë sesion, një rëndësi e jashtëzakonshme iu kushtua klimës dhe përpjekjeve të njeriut e njerëzimit për ta përmbajtur rritjen e temperaturës, si një kusht të domosdoshëm për një të ardhme tjetër nga ajo që kërcënon njeriun dhe njerëzimin për shkak të ndryshimit të klimës. Këtu pata rastin të takoj shumë përfaqësues të elitës së SHBA dhe të shteteve të botës, miq të shquar të Shqipërisë, por fatmirësisht edhe vetë Presidentin Klinton, në një nga anekset e kësaj veprimtarie”, tha Berisha. Sipas tij, “së bashku me zotin Hashim Thaçi, teksa po bënim fotografinë zyrtare, Presidenti Klinton i drejtohet stafit të vet dhe u thotë: ‘Ju jeni ‘caucus’ shqiptar. Unë iu drejtova dhe i thashë: ‘Me një hero kombëtar si ju, sepse vërtet ai është një hero përjetë i kombit shqiptar’”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura