TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka përsëritur sot thirrjen drejtuar historianëve për t’u thënë shqiptarëve të vërtetat ashtu si janë. Gjatë ekspozitës për 83 vjetorin e mbretërisë shqiptare, në Muzeun Historiak Kombëtar, Berisha duke vlerësuar figurën e mbretit Zog dhe atë që ai bëri për kombin dhe vendin kërkoi rishikimin e historisë, e cila ashtu si është mbetet ende larg të vërtetës.
“Zogu u përball me racizmat e egra antishqiptare, por me një diplomaci të lartë bëri gjithcka të konsolidojë pozitën politike të shtetit të ri shqiptar. Mbreti, oborri mbështetësit e tij vazhduan përpjekjet e tyre të gjithanshme për Shqipërinë, Kosovën, kombin. Historia vazhdon të jetë e keqe për shqiptarët, ajo nuk u ka thënë shqiptarëve akoma të vërtetat e tyre”- tha Berisha. Ai kërkoi ridimensionim të kësaj figure shumë të rëndësishme në historine e vendit, teksa vlerësoi 83 vjetorin e mbretërisë shqiptare si një ngjarje të madhe pa të cilën nuk do kishte Shqipëri të pavarur dhe ekzistenca e kombit do ishte vënë në krëcënimin dhe rrezikun më të madh në historinë e tij.
“Unë u bëj thirrje historianëve të vendit të hapin arkivat dhe tu thonë shqiptarëve të vërtetat ashtu si janë. Historia duhet të flasë me të vërtetat si janë dhe kjo do ndihmojë shqiptarët të njohin më mirë veten e tyre, të jenë vetja dhe të shohin më qartë drejt të ardhmes”- tha ai.











