Berisha fton investitorët amerikanë në Shqipëri

Sep 19, 2011 | 18:00
Kryeministri, Sali Berisha gjate fjales se tij ne Forum

NEW YORK- Rreth 100 kompani amerikane morën pjesë sot në punimet e Forumit të Parë të Investimeve SHBA-Shqipëri. I pranishëm në këtë forum, kryeministri Sali Berisha bëri një prezantim shumëplanësh të zhvillimit ekonomik të vendit. Kryeministri e vuri theksin tek disa nga potencialet kryesore të Shqipërisë, që siç tha ai, janë pasuritë e mëdha natyrore, infrastruktura, energjetika, turizmi etj.

Kryeministri ftoi sipërmarrësit amerikanë të investojnë në Shqipëri, duke i garantuar ata se do të jenë të mirëpritur, do të gjejnë një mjedis shumë miqësor për investimet dhe projektet e tyre do të jenë një histori suksesi.

I pyetur nga gazetarët se ku do të donte ai të përqendrohej investimi amerikan në Shqipëri, kreu i qeverisë tha se, “Shqipëria ka fushat e veta të mëdha siç janë energjia, turizmi, minierat, arsimi, por sugjerimi im është aty, ku ata gjejnë përfitimin më të madh”

Ndër kompanitë dhe grupet financiare më të mëdha të pranishme në këtë forum ishin Google, Coca Cola,  kompania minerare Alcoa, American Express që ofron shërbime financiare, Bechtel, kompania e sigurimeve dhe shërbimeve financiare Chartis, UBS, Patton Boggs, Marriot Group, Behre Dolbear, Morgan Stanly dhe kompani të tjera.

Sesioni i parë i Forumit u përshendet edhe nga kongresmeni Eliot Engel, ndërsa kryeministri Berisha ishte i shoqëruar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi dhe ambasadorë.

Kryeministri Berisha ndodhet në Neë York, për të marrë pjesë në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, së cilës do t’i adresohet me një fjalë në seancë plenare. Në axhendën e Kryeministrit parashikohen takime me homologë dhe pjesëmarrje në disa Forume dhe takime të ndryshme.

© Panorama.al

Te lidhura