Berisha fton biznesin izraelit në Shqipëri

Nov 22, 2011 | 19:33
Berisha duke folur ne Forumin Ekonomik, Izrael-Shqipëri

Kryeministri, Sali Berisha në ditën e tretë të vizitës së tij në Izrael, ka ftuar biznesmenët vendas të konsiderojnë seriozisht investimin në Shqipëri.

Ftesa e kryeministrit, Berisha erdhi gjatë takimit të Forumit Ekonomik Izrael-Shqipëri, organizuar në Tel Aviv, nga Federata Izraelite e Dhomave të Tregtisë, bashkë me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij kryeministri, Sali Berisha ka bërë një ekspoze të fushave në të cilat mund të investohet në Shqipëri, duke sjellë në vëmendje edhe lehtësitë fiskale dhe reformat që qeveria e tij ka bërë për të lehtësuar maksimalisht barrën burokratike për bizneset.

“Ne jemi fokusuar shumë për t’ju lehtësuar veprimtarinë, nëpërmjet zvogëlimit të barrës burokratike. Ju mund ta regjistroni biznesin tuaj për 1 euro, në 30 minuta. Prej dy vitesh, funksionon One Stop Shop për lejet dhe licencat, që ka qenë një histori e vërtetë suksesi, pasi hoqëm 2/3-at e të gjitha lejeve dhe licencave.”- tha Berisha.

Ai i ftoi biznesmenët izraelitë të investojnë në fusha si energjia, turizmi, miniera dhe fusha të tjera.

Kreu i qeverisë u shpreh entuziast për premtimin e zëvendëskryeministrit Lieberman, i cili njoftoi se qeveria izraelite ka vendosur të hapë ambasadën e saj vitin tjetër në Tiranë, pasi sipas tij, kjo do të sjellë më shumë bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve.

Në Forum morën pjesë 22 kompani izraelite dhe 35 kompani shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura