Berisha: Flamuri s’u ndalohet dot individëve

Jan 27, 2012 | 11:44

Berisha gjatë vizitës në Bashkinë e Ulqinit

Kryeministri në Ulqin, komenton ligjin e miratuar në Parlamentin e Malit të Zi

“Shteti rregullon përdorimin e simboleve në institucionet publike”

Kryeministri Sali Berisha ka komentuar dje ligjin e miratuar në Parlamentin e Malit të Zi, i cili i heq të drejtën dhe i gjobit shqiptarët nëse përdorin flamurin tonë kombëtar. I pyetur nga gazetarët gjatë vizitës në qytetin e Ulqinit në Malin e Zi, Berisha theksoi se çdo shtet rregullon me ligj përdorimin e simboleve në institucionet e saj, por jo të individëve. “Mendimi im miqësor është ky: në institucionet publike, çdo vend rregullon me ligj përdorimin e simboleve, edhe vendet më të lira në botë e kanë rregullin e tyre. Për qytetarët, dua të jem shumë i sinqertë, në mënyrën më miqësore theksoj se shteti nuk duhet të ketë asnjë lloj preokupimi dhe problemi çfarë simbolesh preferojnë apo pëlqejnë ata”, theksoi Kryeministri. Shefi i qeverisë shqiptare pohoi ndërkaq se shtetet duhet të tregojnë respekt për flamujt e vendeve fqinje, pasi ato janë simbole të sakrificës së bërë për liri dhe dinjitet. “Individët janë individë, sektori publik është sektor publik dhe unë në Shqipëri, ju garantoj se, po të kaloni, një shtëpi e shikoni me një flamur, sepse djali punon në atë vend, ka nxjerrë fitimet, vjen dhe ndërton shtëpinë; një shtëpi tjetër ka një flamur tjetër, por në të gjitha rastet flamujt janë vetëm për të nderuar dhe ne duhet t’i nderojmë flamujt e njëri-tjetrit, sepse janë simbole të sakrificave të bëra për liri dhe dinjitet kombëtar në çdo vend”, deklaroi Berisha. Gjatë vizitës në Malin e Zi, Kryeministri Berisha siguroi se shumë shpejt Parlamenti do të miratojë marrëveshjen që do t’u mundësojë qytetarëve të lëvizin vetëm me letërnjoftime drejt Malit të Zi dhe anasjelltas. “Është çështje e burokratëve, por shpresoj që të mos zgjasë me shume se 5-6 javë, sa të kalojë në Parlament, është çështje rendi dite Parlamenti, s’ka asnjë pengesë tjetër’, tha Kryeministri.

AK: Berisha të mbrojë flamurin
Aleanca Kuq e Zi ka reaguar dje për deklaratat e Kryeministrit Berisha gjatë vizitës në Malin e Zi. Sipas AK, Kryeministri duhet ta kundërshtonte me forcë ligjin e miratuar nga Parlamenti malazez. “Kryeministri duhet të kishte planifikuar një axhendë të qartë mbi ligjin e Parlamentit e Malit të Zi, që ndalon dhe gjobit ata qytetarë të tij që përdor, valëvit dhe ngre flamurin shqiptar. Është detyrim i Kryeministrit shqiptar të mbrojë simbolin tonë kombëtar, flamurin kuqezi”.

© Panorama.al

Te lidhura