Berisha, fasonëve: Përmirësim kushtesh, lehtësira

Dec 16, 2011 | 10:30

TIRANË- Përmirësim kushtesh, lehtësira, përfitim nga praktikat dixhitale  e gjithçka tjetër për vijimin e aktivitetit dhe sigurimin e tregjeve ka garantuar kreu i qeverisë, Sali Berisha për industrinë fasone. Gjatë fjalës së tij në forumin “Euratex”, Berisha ka vlerësuar atë për kontributin thelbësor në zhvillimin e vendit.

“Industria fason është ndër industritë e një rëndësie parësore që shoqëron Shqipërinë. Kjo industri për Shqipërinë është dhe zëri kryesor i eksporteve, kjo industri është edhe industria kryesore punësuese”- tha Berisha, duke i ftuar ata të zgjerojnë hartën e shtrirjes edhe në zona që kërkojnë zhvillim e punësim.

Sipas Berishës, qeveria është përpjekur të krijojë një ambient sa më miqësor të mundshëm. Ai ka kujtuar politikat e ndjekura, që nga zerimi i doganave për materialet që importohen dhe politikën fiskale të ndjekur.

“Qeveria në këtë periudhë krize beson se rruga më e sigurtë për të zbutur pasojat e saj është përmirësimi i kushteve, krijimi i lirive për ju. Biznesi, është ai faktor që mund të mbrojë vendin nga pasojat e rënda të krizës, ndaj dhe ftoj ta konsiderojmë këtë konferencë si një debat me qeverinë, shkëmbim mendimesh, ne jemi të hapur të dëgjojmë me interes të madh sugjerimet tuaja, jemi të gatshëm të shqyrtojmë mundësi për masa të tera që do të lehtësojnë barrën, do rrisin kompetivitetin, do ndihmojnë për garantimin e tregjeve”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura