Berisha: Ëndrra e Azemit është sot më realitet se kurrë

Sep 13, 2011 | 10:28
Berisha dje gjatë homazheve

Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Topalli, Presidenti Bamir Topi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kanë përkujtuar dje 13-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit. Kreu i Partisë Demokratike, së bashku me kryebashkiakun Basha, ishin në mesditë në memorialin e Azemit, ku vendosën një kurorë me lule. “Ata, të cilët shkrehën plumbat e zinj mbi gjoksin e tij menduan dhe besuan se do të mund të eliminonin kauzën e tij, por gabuan rëndë. Sot, projekti i Azem Hajdarit, ëndrra e tij dhe e studenteve liberatorë, është më realitet se kurrë. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Europën. Shqipëria me reformat e saj po ecën e sigurt drejt një horizonti të ri, drejt Shqipërisë vend i zhvilluar”, u shpreh Kryeministri. Nga ana e saj, kryetarja e Parlamentit, Topalli, ishte në familjen e Azemit ku e vlerësoi atë si një politikan që lirinë e kishte në themel të betejave të tij dhe sot idealet dhe ëndrrat e tij për lirinë dhe demokracinë janë një realitet. Ndërsa Presidenti Topi, pas vizitës në familjen e heroit të demokracisë, tha se “13 vjet, natyrisht janë shumë, por ne që e kemi njohur Azemin, neve që na mungon shumë prania e tij, për ne, sigurisht që janë shumë pak. Por sa më shumë kalojnë vitet, e kam thënë edhe herë tjetër, aq më shumë ne e vlerësojmë Azemin. Pra, një njeri që ka demonstruar të jetë i lirë, edhe atëherë kur shumë njerëz ishin të kompleksuar. Por edhe pse kalojnë vitet, vështirë se gjendet një figurë paralele me Azem Hajdarin, për kurajën civile, për kurajën qytetare, për të demonstruar në çdo lloj mjedisi që njeriu, para se të realizojë vepra të mëdha, duhet të jetë së pari një njeri i lirë”.

© Panorama.al

Te lidhura