Berisha: Ekstremistët klithma e së shkuarës, nuk i do më askush

Jan 26, 2012 | 11:45
Berisha dhe Luksiç

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje një vizitë njëditore në Malin e Zi, ku është takuar me krerët më të lartë të vendit fqinj. Fillimisht ai u takua me homologun e tij, Igor Luksiç, ku në përfundim të konferencës për shtyp u nënshkrua marrëveshja mes dy vendeve “Për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zatrijebacka Cijevna – Grabon” dhe për pikën e kalimit kufitar Cerem – Vranica. “Proceset integruese janë një platformë dhe një bazë e rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë një domosdoshmëri për t’i përdorur dhe për t’i gëzuar të gjitha resurset e përbashkëta që kemi për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Për këtë dëshmon edhe marrëveshja e nënshkruar sot, një marrëveshje që si qëllim ka rrugën mes Plavës e Podgoricës, gjë që do të afrojë Plavën me Podgoricën dhe që do të jetë një simbol i bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve”, u shpreh Kryeministri malazez në komunikimin me mediat. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare vuri theksin te ekstremizmi në rajon, për të cilin tha se është një klithmë e së shkuarës që nuk e do më askush. “Bashkimi Europian ka faktuar se është një komunitet apo është një rend, i cili bazohet, para së gjithash dhe mbi të gjitha, në liritë dhe të drejtat e individit, në respektim të të gjitha diversiteteve dhe sensitiviteteve në hapësirën e tij. Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë ideali kombëtar bëhet ose barazohet me idealin europian. Kështu që zërat e ekstremistëve ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush. E vërteta është që popujt tanë dhe vendet tona kanë përkushtimin më të madh për integrimin në Bashkimin Europian”, tha Berisha.

Takimet
Gjatë qëndrimit në Malin e Zi, Berisha u takua me Presidentin Filip Vujanoviç, që vlerësoi progresin dhe arritjet që ka shënuar qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe, të cilat e kanë transformuar dhe shndërruar Shqipërinë në një destinacion shumë tërheqës për investime të huaja, si edhe për turistët. Kreu i qeverisë shqiptare u takua gjithashtu me nënkryetarin e Parlamentit malazez, Zeljko Sturanoviç dhe me kryetarin e PDS-së, zotin Milo Djukanoviç.

Ekspertët e ODIHR-it në Tiranë, takojnë Topallin e “të vegjlit”

Topalli dhe Pilgrim

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në zyrën e saj ekspertët e OSBE/ODIHR-it, Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, të cilët janë në Shqipëri për t’i dhënë asistencë teknike Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Kryeparlamentarja u shpreh se “këto zgjedhje ishin më transparentet dhe u zhvilluan me një sistem demokratik zgjedhor të propozuar nga PS e të miratuara me konsensus të plotë nga socialistët e demokratët në Parlament. Po ashtu, opinioni i përbashkët i ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias përbën një dokument ligjor profesional, i cili shërben si plan pune në zbatimin e 53 rekomandimeve për zgjedhjet, të cilat janë çështje standardi dhe jo çështje partiake”. Nga ana e tyre, ekspertët e ODIHR-it vlerësuan kuadrin ligjor dhe rritjen e standardeve zgjedhore duke thënë se “jemi maksimalisht të gatshëm për të asistuar në reformën zgjedhore në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur”. Ekspertët janë takuar dje edhe me krerët e partive të vogla. “Në qoftë se herët e tjera kanë ardhur e kanë shkuar pa ndikuar te dy partitë e mëdha për të bërë ndryshime thelbësore në Kodin Zgjedhor, këtë herë duhet të qëndrojmë fort, pasi në rast se dhe këtë herë do të dështojnë në misionin e tyre për të bindur dy partitë e mëdha se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ecë me tutje me mendësinë e së kaluarës dhe me ligje që në letër mund të jenë të mira, por kur vjen në praktikë ato nuk zbatohet, atëherë është e kotë që vijnë”, tha kreu i PDS-së, Paskal Milo.

© Panorama.al

Te lidhura