Berisha: Do vazhdoj deri kur shqiptarët të më thonë lamtumirë

Dec 10, 2011 | 12:43
Kryeministri Sali Berisha me Kryeministrin francez Francois Fillon

Kryeministri Berisha, i ftuar në studion e kanalit prestigjioz francez, “TV5 Mon-de”, me gazetarin Patrick Simonin, gjatë qëndrimit në Francë, u shpreh se në pushtet e mban vota e shqiptarëve, ndërsa premtoi se qeveria e tij do t’i stimulojë investitorët e huaj të kryejnë investime në energjetikë, turizëm etj.

Pak para vizitës me Kryeministrin francez, François Fillon, Kryeministri Berisha e ka vënë theksin në ambiciet e qeverisë që ai drejton për të stimuluar investimet në energjinë e rinovueshme. Duke folur për procesin e integrimit të vendit, Berisha u shpreh se në këto dy vjet opozita ka penguar procesin e integrimit të vendit, ndërsa përshëndet klimën politike të krijuar së fundi. Kreu i qeverisë i ftoi qytetarët francezë të vijnë dhe të vizitojnë Shqipërinë, pasi, sipas tij, nuk do të mbeten të zhgënjyer për ato që vendi ofron.
Mirdita, Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë që prej vitit 2005. Ju keni qenë President i Republikës së Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1997, dhe ju ndodheni për vizitë në Francë, ku do të takoni pas pak Kryeministrin francez, François Fillon. Çfarë do t’u thoni autoriteteve franceze sot?
Faleminderit për këtë pyetje, faleminderit që më keni ftuar. Unë jam shumë i lumtur që pas pak do të takohem me Kryeministrin francez, Fillon. Sot në mëngjes u takova me ministrin francez të Energjisë, zotin Besson. Qëllimi im kryesor është të punoj ngushtësisht me qeverinë franceze për t’i inkurajuar investitorët francezë të vijnë të investojnë në Shqipëri. Marrëdhëniet tona politike janë të shkëlqyera, por, nga ana tjetër, marrëdhëniet ekonomike po rriten gjithnjë e më shumë. Në realitet Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por një vend me mundësi dhe potenciale shumë të mëdha për investitorët e mëdhenj francezë dhe botërorë.
Për shembull, në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, në fushën e ekonomisë, të energjisë?
Po, ambicia ime kryesore është që vendi im të bëhet një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon. Shqipëria ka rezerva shumë të mëdha hidrike, që do të shndërrohen në hidrocentrale. Vendi im ka për të ndërtuar 443 hidrocentrale. Qeveria ime ka nënshkruar me sektorin privat 110 kontrata për të ndërtuar afërsisht 300 hidrocentrale. Nga e gjithë bota, nga Norvegjia në Izrael, nga Europa në Shtetet e Bashkuara, nga Kanadaja, si dhe kompani të tjera që kanë treguar interes për të investuar në Shqipëri. Nga ana tjetër, burimet tona energjetike, në fushën e energjisë së rinovueshme, asaj të erës, janë të mëdha. Qeveria jonë ka licencuar deri tani 1600 megavat dhe është edhe një paketë tjetër që përbëhet nga 3200 megavat.
Pra kjo është edhe një ftesë për ndërmarrjet franceze, por a do t’i shprehni Kryeministrit François Fillon edhe dëshirën tuaj për mbështetjen e Francës për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?
Po, pikërisht, kjo do të jetë një temë e diskutimeve. Franca e ka mbështetur gjithnjë ambicien e Shqipërisë për integrimin europian dhe për anëtarësimin në NATO. Ne kemi pasur probleme, por ato janë zgjidhur, prandaj kemi nevojë për mbështetje për të përparuar edhe më shumë drejt Bashkimit Europian.
Pra, kur e mendoni afatin e këtij pranimi?
E dini? Unë kurrë nuk fiksoj data, sepse kjo nuk është në duart e mia, por ajo që mund të them është që unë e konsideroj këtë si një proces tërësisht të bazuar në meritë, prandaj qeveria duhet të performojë, duhet që vendi ta meritojë. Për këtë qëllim ne jemi të angazhuar në realizimin e reformave në një shkallë shumë të gjerë, të cilat në realitet po avancojnë shumë.
Sepse Europa është në krizë sot, flasim për një Europë me 17 anëtarë, në fakt me 18 sot me Kroacinë, e cila sapo nënshkroi, por flasim për 17 vende përsa i përket vendimmarrjes dhe integrimit  buxhetor. A besoni ju se zgjerimi i Europës vazhdon të jetë i mundur?
Besoj se procesi i zgjerimit ka pësuar një ngadalësim në situatën e tanishme, por, nga ana tjetër, besoj se ky është një proces i pakthyeshëm. Vendimi i të 17-ve është ndërqeveritar, por duhen ftuar të tjerët të pranojnë kriteret strikte buxhetore për të evituar një krizë të ngjashme në vitet që vijnë.
Kur thoni që keni bërë përpjekje në Shqipëri, dhe dihet që është dhe opozita socialiste. Ju e keni akuzuar këtë opozitë për manifestimet e dhunshme që shkaktuan të vrarë në fillim të vitit, e keni akuzuar këtë opozitë se nuk e dëshiron integrimin europian të vendit…
Në fakt, gjatë dy viteve opozita ka bërë gjithçka për të bllokuar procesin e integrimit, duke menduar se kjo është mënyra më e mirë për të dëmtuar qeverinë dhe për të ardhur sa më shpejt të jetë e mundur në pushtet, por me këtë opozita përgatiti një disfatë ekzemplare në zgjedhjet lokale në muajin maj, ku pati 12 për qind më pak vota se maxhoranca.
Dhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme ku ju do të përfaqësoheni përsëri për të qenë Kryeministër?
Unë do të vazhdoj deri kur shqiptarët do të më thonë lamtumirë, dhe atëherë unë do ta respektoj vullnetin e tyre. Unë bëj gjithçka për të avancuar reformat, për të avancuar projektin kryesor të kombit tim, atë të integrimit europian. Nga ana tjetër, opozita tani është kthyer në Parlament. Unë kisha premtuar çdo ditë gjatë këtyre viteve që ata ta hartonin vetë ligjin elektoral duke marrë edhe mendimin e Komisionit të Venecias dhe të OSBE-së,  se unë do ta votoja pa asnjë kusht, dhe ata pranuan.
Mund të thuhet se gjendja është qetësuar, pra ka një dialog?
Po, ka një dialog konstant dhe situata është plotësisht normale.
Edhe diçka tjetër. Turizmi. A është i mjaftueshëm turizmi në Shqipëri? Sepse me atë që po ndodh në vendet arabe, ka mundësi të turistët t’i lënë këto vende dhe t’i referohen Shqipërisë…
Besoj se turizmi ka njohur bumin më të madh që vendi ka njohur ndonjëherë. Në 2004-n kemi pasur 300 mijë turistë e vizitorë, kurse vitin e kaluar kemi pasur 3 milionë e gjysmë. Dhe këtë vit ndoshta do të jenë 4 milionë. Udhëtimi në Shqipëri është duke u bërë një udhëtim i ëndrrave. Ky vend u ofron turistëve të të gjithë botës një nga bregdetet më të mahnitshme, peizazhe fantastike, një mikpritje të jashtëzakonshme, një klimë të mrekullueshme, një ushqim të shijshëm, të përshkruar nga më të mirat në Europë nga Andre Gide në veprat e tij. Askush nuk është zhgënjyer nga pushimet në Shqipëri dhe nuk ka pësuar sindromën shqiptare. Pra, ftesa ime është që të vini në Shqipëri.

© Panorama.al

Te lidhura