Berisha: Do krijojmë lehtësi për biznesin

Sep 7, 2011 | 10:20

Qeveria do të krijojë lehtësi për biznesin, duke kryer rregullimet e nevojshme të kuadrit ligjor, si dhe përmes krijimit të thjeshtësive të komunikimit që shmangin burokracinë e tepërt. Kanë qenë këto premtimet e Kryeministrit Sali Berisha dje në çeljen e Konferencës Ndërkombëtare të Ndërtimit dhe Investimeve, punimet e së cilës filluan menjëherë pas çeljes së Panairit të Parë Ndërkombëtar të Ndërtimit. Përballë disa prej bizneseve mjaft të njohura në botë, Berisha vuri theksin në zhvillimin që ka pasur Shqipëria viteve të fundit, e mbështetur nga një sërë sektorësh, por sektorin e ndërtimit ai e quajti promotor të këtij zhvillimi. “Ndërtimi sot është sektori më i fuqishëm, promotori më kryesor i zhvillimit të vendit dhe, si i tillë, do të mbetet ndoshta dhe për dy dekadat që vijnë. Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por në këtë vend vëllimet e ndërtimit të realizuara, private dhe publike, janë plotësisht të krahasueshme me një vend shumë herë më të madh se Shqipëria”, tha Berisha. Ai solli në vëmendjen e bizneseve të pranishme në panair transformimin që pësoi vendi ynë përmes sektorit të ndërtimit, duke e përkufizuar këtë me zhvillimin e infrastrukturës, por edhe të ndërtimeve të tjera. “Në Shqipëri janë kryer në njësi kohe vëllimet më të mëdha të ndërtimit. Mjafton të citoj këtu vetëm një shifër në një hark kohor prej 30 muajsh; vetëm në një arterie janë lëvizur pothuajse 100 milionë metër kub dhé, si dhe shkëmbinj, apo janë ndërtuar më shumë se të gjitha urat para- ekzistuese të marra së bashku”, tha Kryeministri, duke theksuar se do të vijojnë investimet në disa projekte të rëndësishme në infrastrukturë. Ai theksoi se partneri kryesor mbetet biznesi dhe se, për të lehtësuar këtë të fundit, nga qeveria do të merren masat e nevojshme të rregullimit të kuadrit ligjor. Kryeministri vizitoi dje të gjithë stendat e Panairit Ndërkombëtar të Ndërtimit në Tiranë, i cili do të jetë i hapur deri më datë 8 shtator. Sot pritet që të mundësohet edhe videokonferenca përshëndetëse me miliarderin amerikan Donald Trump, i cili do të bëjë edhe një prezantim të tijin.

Amnistia, biznesi paguan vetëm 320 mijë dollarë

Biznesi, që ishte nismëtari për një amnisti fiskale, duket se nuk po e tregon të njëjtin interes tani që ligji është duke u zbatuar. Deri në fund të gushtit, të dhënat e Tatimeve dhe Doganave tregojnë se biznesi ose nuk do të paguajë, ose nuk ka para për të paguar përqindjen “modeste”, që i siguron faljen nga vite të tëra detyrimi për mospagim të taksave. Gjithsej, nga maji deri në gusht bizneset kanë kryer shumë pak pagesa, me një vlerë totale 320 mijë dollarësh, së bashku për Tatimet dhe Doganat. Në total, nga të dy institucionet është llogaritur që bizneset debitore do të duhet të paguajnë rreth 431 milionë dollarë, në mënyrë që t’i falet borxhi në total, i cili është shumë herë më i lartë. Nëse bizneset debitore për të cilat është bërë llogaritja sipas të dhënave në sistem do të shlyejnë brenda fundit të këtij viti 75 mijë dollarë, atëherë falen 1.3 miliardë dollarë detyrime. Deri më tani, pranë doganave janë shlyer vetëm 10 mijë dollarë detyrime. Kurse për Tatimet, nga sistemi janë evidentuar bizneset që përfitojnë nga amnistia dhe janë plot 420 mijë raste në vlerën 5.77 miliardë dollarë detyrime të papaguara. Sipas Tatimeve, nëse nga ana e debitorëve të organit që në zbatim të ligjit duhet të paguajw 30% dhe 50% të principalit brenda datës 31 dhjetor 2011, likuidojnë vlerën 430 milionë dollarë, atëherë shuma potenciale e mundshme për t’u falur do të jetë rreth 2.8 miliardë dollarë.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura