Protestat e opozitës nuk do të ndikojnë në sezonin turistik. Deklarata e kryeministrit erdhi në një moment, kur vetëm disa metra larg zyrës së tij opozita po protestonte për votën e lirë, por edhe pas takimit me një grup të madh agjencish turistike nga Polonia. Sidoqoftë, klima e tensionuar politike, djegia e gomave dhe bllokimi i rrugëve, sipas Berishës nuk do të krijojnë imazh negativ për vendin. I pyetur edhe për efektin e anulimit të vizitës së Barrosos në Tiranë, Berisha nënvizoi se kjo nuk do të bëjë ndonjë problem. “Jam i bindur se do të jetë një histori e vërtetë suksesi, por mos harroni se zoti Barroso nuk vinte në një vizitë apo pushime private në Shqipëri, vinte në një vizitë zyrtare, e cila ka disa rregulla të tjera. Në qoftë se ka një problem përreth KQZ, nuk ka një problem askund tjetër ku turistët të mos pushojnë, u dogjën ca goma e u bënë ca gjëra, por këto nuk janë gjëra të pazakonshme në një vend të lirë. I zakonshëm nuk është rrethimi i komisionit, por për të tjerat, protestat janë kudo, është një konstante, nuk gjen vend sot që të mos ketë një protestë. Protesta janë pjesë e dëshmisë së një demokracie që funksionon”. Pjesa tjetër e konferencës së Berishës u ndal në vlerësimin e Shqipërisë dhe në disa “detyra” pastërtie për qytetarët. “U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, qeveritarëve vendorë dhe përfaqësuesve të qeverisë qendrore të ndjekin me angazhim të plotë finalizimin e përgatitjeve për sezonin turistik më të suksesshëm në historinë e vendit.” Nga ana tjetër, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mbajnë pastër ambientin. “Të gjithë të bëjnë gjithçka për të mbajtur një mjedis të pastër. Është rast i mirë për të krijuar përshtypje pozitive për vendin tonë. Së shpejti inaugurohen impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, por asgjë nuk zëvendëson kujdesin e qytetarit për një ambient më të pastër për vete dhe për turistët që kalojnë pushimet në vendin tonë”. Më pas, Berisha e ka quajtur “Miss” turizmin shqiptar. “Ne hymë në këtë sezon, pasi jemi përzgjedhur si një nga destinacionet më kryesore turistike, jemi përzgjedhur si “Miss Bota”, se miset nuk i zgjedhin qeveritë, i zgjedhin juritë, kjo është e vërteta dhe juritë e agjencive me serioze turistike kanë zgjedhur Shqipërinë, ndaj dhe le ta vlerësojmë ne në shkallën më maksimale.”











