TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka deklaruar se buxheti i këtij viti miratuar vetëm një ditë më parë nga maxhoranca në Kuvendin e Shqipërisë mbështetet tërësisht në modelin e suksesshëm ekonomik të vendit, falë reformave të ndërmarra.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit, Berisha ka analizuar arritjet e bërë në ekonomi, si rezultat i asaj që ai e ka quajtur adaptim të një modeli shumë të suksesshëm ekonomik, që favorizoi rritje ekonomike, rrogash e pensionesh dhe ndërtime madhore në infrastrukturë në një kohë krizë evropiane dhe botërore.
“Modeli i ekonomisë është i funksionimit dhe performancës që garanton realizimin e objektivave më ambiciozë, stabilitet makro ekonomik, kontroll të inflacionit, borxhit, rritjen e rrogave dhe pensioneve. Shqiptarët dëgjojnë se këto janë kohët e uljeve dramatike të rrogave e pensioneve”- tha Berisha,
Sipas tij, buxheti garanton zbatimin e të gjitha projekteve të Shqipërisë dixhitale, objektivi më madhor për 100 vjetorin e Pavarësisë.
Ai theksoi se buxheti mbështet projektet më ambiciozë në infrastrukturë, ujëra, shkolla, spitale, mbështet më fuqishëm se asnjëherë projektet e mëdha kombëtare, të ullirit, arrorëve dhe drurëve të tjerë frutorë.
“Ky buxhet bazohet në performancën e ekonomisë dhe këtë model që ka garantuar cdo vit rritjen ekonomike ndër më të lartat në Europë e botë në kulmin e krizës, rritjen e vazhdueshme të eksporteve të vendit që krahasuar me 2006 janë 3 herë më të mëdha”- tha ai.
© Panorama.al











