Berisha: Basha ka fituar me 78 vota

May 24, 2011 | 10:43

Kryeministri Berisha vlerësoi rezultatin zgjedhor të arritur nga Aleanca për Qytetarin në zgjedhjet e 8 majit.Duke folur para deputetëve demokratë në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha tha se fushata e zhvilluar në Tiranë solli përmbysjen e skemës së qeverisjes, duke fituar 7 minibashki. “Në këtë fushatë, pas 11 vitesh, Tirana kthehet në blu dhe kjo është një nga arritjet me të mëdha në histori. “Sot, koalicioni qeverisës qeveris 7 nga 11 minibashkitë e vendit, sot zoti Lulzim Basha, i cili zhvilloi fushatën më të bukur, më të fuqishme, në një simfoni të vërtetë në qytetin e Tiranës, është i fituar me rezultatin e deritanishëm, me 78 vota para. Natyrisht që pritet finalizimi i shqyrtimit të të gjithë problematikës, por e vërteta si drita e diellit është se në këtë fitore të ngushtë qytetarët e Tiranës votuan Lulzim Bashën, më shumë se çdo kandidat tjetër. Qyteti i Tiranës i besoi alternativës sonë, i besoi kandidatit të koalicionit tonë”, u shpreh Berisha. Duke iu rikthyer votave të panumëruara, kryeministri solli rastin e KZAZ-së së Njësisë Nr.8 në kryeqytet, kur komisionerët socialistë kanë nxjerrë të pavlefshme votat për Lulzim Bashën. “Fitorja në Tiranë është një fitore e ngushtë. Në datën 14 maj rezultoi se zoti Rama ishte 10 vota para. Asnjë nuk e mohoi këtë, ndonëse ne kemi gjithë dokumentet se në një qendër votimi në zonën zgjedhore 8, komisioneri i PS-së, për të dëmtuar kandidatin tonë, në mënyrë mashtruese ia doli të mos vendoste vulën në 10 vota, që të gjitha janë për zotin Basha. Po në këtë zonë, KZAZ-ja e dominuar nga socialistët nuk pranoi të inkludojë në tabelat e numërimit 46 vota. Ne kemi të dhëna të sigurta se Basha aty kryeson mirë. Pavarësisht nga këto, votat do të numërohen dhe vlerësohen një për një. Ky sistem bazohet në kontestim. Ai që mendon se do të mund të prekë këtë sistem dhe kontestimin, ai i bie murit me kokë. Këtë nuk mund ta bëjë kurrë”, u shpreh Berisha. Duke u bërë një bilanc votave të marra më 8 maj, kryeministri tha se alternativa e maxhorancës qeverisëse u përkrah nga shumica e shqiptarëve.

“Në raport me kundërshtarin tonë, ne kemi 17 për qind më shumë vota, kemi 140 mijë vota më shumë në mbarë vendin. Ky është një plebishit madhështor i qytetarëve shqiptarë për suksesin e reformave të qeverisjes. Në rast se do i konvertonim në vota deputetësh, na takonte të kishim rreth 17 deputetë më shumë”, u shpreh Berisha. Ai i kërkoi kreut socialist Rama që të kërkojë hetim të kutive përmes Prokurorisë për transparencë, nëse e dëshiron një gjë të tillë. “Zoti Rama pretendon për kutitë, unë e them ta ftojë Prokuroren e Përgjithshme të nisë menjëherë hetimin. Ai përdori fjalët e fundit të kazanit për Arben Ristanin dhe KQZ-në dhe unë shfrytëzoj rastin t’u jap përshëndetjet më të përzemërta të shtatëve, dy zonjave dhe atyre 5 zotërinjve që kanë punuar në kushtet më të vështira të këtij kontinenti, ndonëse ky i etiketon dhe i vë të gjitha ato epitete. Zoti Rama le të ftojë prokuroren Rama dhe të përpiqet t’i paraqesë pretendimet dhe jo të damkosë në mënyrë të paskrupullt gjithçka që ndodh në rrezen e dritës”, u shpreh Berisha.

vula

Sipas anëtarëve të djathtë në KZAZ-në e Njësisë Nr. 8 në Tiranë, në një qendër votimi u zbuluan 10 vota, të cilat nuk kishin një vulë. Ata pretendonin se të 10 votat ishin për kandidatin demokrat Lulzim Basha dhe në to mungonte vula e dytë, e cila mbahej nga sekretarja e Partisë Socialiste në komisionin e votimit. Sipas përfaqësuesve të PD në këtë KZAZ, sekretarja i njihte votuesit dhe qëllimisht nuk i ka vulosur fletët, duke i shpallur ato automatikisht të pavlefshme.

Pavlefshmëria

Anëtarët e djathtë në KZAZ-në e Minibashkisë Nr. 8 shprehen se kanë bërë në total 23 kontestime, që, sipas tyre, nuk janë marrë parasysh nga shumica në këtë KZAZ që i përkiste Partisë Socialiste. Ata pretendojnë se shumë prej fletëve që u vlerësuan në favor të kandidatit Rama duhet të shpalleshin të pavlefshme sipas ligjit, ndërsa shumë të tjera në favor të kandidatit Basha janë vlerësuar të pavlefshme. Nëse vërtetohen këto pretendime, anëtarët e djathtë në këtë KZAZ shprehen se Basha merr edhe 46 vota më shumë.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura