TIRANE- Saktesi dhe transparence te plote ne numerimin e cdo vote qe kane hedhur shqiptaret ne kutite e votimit ne 8 maj dhe respektim dhe pranim te verdiktit te popullit sa i takon rezultatit.
Keshtu ka deklaruar kreu i qeverise, Sali Berisha gjate takimit te mbajtur sot me ambasadorin e SHBA-se, Arvizu dhe grupin e vëzhguesve zgjedhorë të dërguar nga qeveria e SHBA-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale.
“Procesi zgjedhor qe po zhvillohet mbështetet mbi një bazë ligjore solide, konsensuale dhe të certifikuar ndërkombëtarisht dhe përdorimi i teknologjisë në procesin e numërimit garanton transparencë dhe saktësi maksimale në këtë proces. Cdo votë e hedhur në kutitë e votimit për kandidatët e subjekteve të ndryshme, do të numërohet me saktësi të plotë”- tha Berisha gjate takimit.
Ambasadori Amerikan Aleksander Arvizu, i cili shoqëronte vëzhguesit, në fjalën e tij vuri në dukje se ky mision vëzhgimi, me rreth 60 vëzhguesit e tij, ishte një kontribut i drejtpërdrejtë i qeverisë amerikane për transparencën e procesit zgjedhor. Ambasadori Arvizu theksoi se ky mision i veçantë dhe kaq i gjerë vëzhgimi është një dëshmi e qartë e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë por edhe e angazhimit ndaj vlerave që dy vendet ndajnë së bashku.
Kryeministri Berisha vlerësoi dhe ndau të njëjtin qëndrim me atë të kreut të misionit të OSBE/ODIHR zotit Stonestreet, i cili gjatë prezantimit të deklaratës paraprake theksoi se pavarësisht zgjatjes së procesit të numërimit ajo që ka rëndësi dhe mbizotëron është saktësia dhe transparenca e këtij procesi.
Duke theksuar se mazhoranca mbetet e vendosur për të pranuar çdo rezultat që del nga vota e qytetarëve, ai shprehu kënaqësinë se vota e përgjithshme popullore rikonfirmoi besimin dhe mbështetjen e mazhorancës së zgjedhësve ndaj qeverisë. Sipas Berishes nga këto zgjedhje fituan shqiptarët.
© Panorama.al











