Berisha: Administrim vetëm 10% të pyjeve

Jan 17, 2012 | 11:45

TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka kërkuar që të bëhet gjithçka për shndërrimin e Shqipërisë, në vendin me pronësitë publike më të ulëta në Evropë dhe të përcaktohet një skemë, sipas të cilës kjo pronë t’u kthehet pronarëve.

Në mbledhjen e radhës për procesin e transferimit të pyjeve dhe kullotave në varësi të pushtetit vendor, Berisha ka bërë me dije se gjatë 5-6 viteve të fundit janë transferuar në pronësi të pushtetit lokal rreth 800 mijë ha pyje dhe kullota ose 50 %  e fondit të tyre.

Kryeministri kërkoi nga ministria përkatëse dhe institucionet e lidhura me të që ky të jetë viti i zgjidhjes përfundimtare, në vija të përgjithshme, të problemeve të pronësisë së pyjeve.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme përcaktimi sa më parë i sipërfaqeve pyjore, të cilat do të mbeten publike, duke theksuar se qeveria qendrore nuk mund të administrojë më shumë se 10 % të pyjeve në të gjithë vendin. “Qeveria nuk do të mund të ketë më shumë se 10 % të pyjeve. U takon ju, së bashku me institucionet e varësisë të përzgjidhni  këtë 10 % se cila do të jetë, por më shumë se kaq nuk mund të administrojë. Ky është një standard kudo në vendet e BE. Ky standard është që pyjet u përkasin komunave dhe bashkive”, tha ai.

Ndër të tjera, Kryeministri evidentoi se është shumë e rëndësishme gjetja e mekanizmave  sa më të përshtatshme dhe transparente për privatizimin e pyjeve,por njëkohësisht edhe për mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre, duke vendosur disiplinën më të fortë për menaxhimin. “Unë shpresoj që ju të përpunoni një skemë jo vetëm të kthimit në të gjitha rastet të pyjeve tek të zotët, atje ku ka pronar,por unë do tu vlerësoja shumë ju në qoftë se ju do të gjeni mekanizma transparente të privatizimit të pyjeve, pra ti bëjmë pyjet me zot. Sigurisht, duke vendosur së bashku disiplinën më të fortë në menaxhimin e tyre. Pra të gjejmë mekanizmat më eficentë të mbrojtjes dhe të zhvillimit të tyre.” tha kryeministri.

© Panorama.al

Te lidhura