Nga Lushnja dhe Vlora, kryeministri Sali Berisha ka prezantuar kandidatët për kryetarë bashkish të këtyre qyteteve, por edhe projektet përkatëse. Duke theksuar se alternativa e djathtë bazohet në fonde dhe financime, në mund e djersë, në vlera morale të qytetarëve të lirë, në besimin e qytetarëve te vetja, te njëri-tjetri, te familja, te vendi, Berisha tregoi njëkohësisht dhe alternativën e kundërshtarit të tij politik, kryesocialistit Edi Rama. “Alternativa tjetër është alternativa e të vetmes rrugë. Të dashur të reja e të rinj, ju nuk e dini se çfarë ka qenë ajo. Pyesni baballarët e gjyshërit tuaj. Do t’ju rrëfejnë se e vetmja rrugë ishte slogani që përsëritej në çdo faqe, në çdo shkrim, në çdo emision, në çdo gazetë, dhjetëra e qindra herë në ditë, nga diktatori Enver Hoxha. Le t’ua lëmë nostalgjikëve të tij rrugën e vetme”, tha Berisha, teksa prezantoi kandidatin Albert Sanxhaku në Lushnjë.
Duke kaluar më pas në Vlorë, ku mbështeti kandidatin Ardian Kollozi, lideri demokrat theksoi se arma sekrete e maxhorancës në këto zgjedhje vendore është besimi te qytetarët. “Ftoj më 8 maj të vlerësoni bindjet tuaja se Vlora mund të bëhet një nga qytetet më të zhvilluara të Mesdheut. Ju zgjidhni të nisni betejën e madhe të shndërrimit të kantierit të madh të punësimit”, tha kryetari i PD-së. Sipas tij, Vlora ka potenciale të jashtëzakonshme të prodhimit industrial, ndërsa shtoi se qyteti do të ketë planin dhe sistemin urbanistik më modern në 6 muajt e parë. “Një apel dhe thirrje miqësore do t’u drejtoj atyre që ndjekin këtë miting. Ju ftoj të na bashkoheni në shtëpinë tonë, në Vlorën tonë”, përfundoi Kryeministri.











