Bërdicë, çahet koalicioni i djathtë

May 4, 2011 | 13:27
Posteri i kandidatit të PR, Qamil Xhurreta

Çahet përfundimisht koalicioni i djathtë “Aleanca për qytetarin” në komunën e Bërdicës, në periferi të qytetit të Shkodrës. Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënësit të kësaj partie për Shkodrën, Aleksandër Marleci, ka deklaruar përfundimisht braktisjen e kandidatit të Partisë Republikane, Qamil Xhurreta, dhe përkrahjen e kandidatit të pavarur, Besnik Tahiri.Nëpërmjet kësaj deklarate është bërë e ditur se shkaku i braktisjes së Xhurretës ka qenë tradhtia që ai i ka bërë idealeve të Partisë Demokratike dhe komunitetit të kësaj zone. Sipas PD-së, Xhurreta nuk ka vepruar si koalicion, duke mos u këshilluar me pjesën tjetër që e kandidoi. Partia Demokratike i ka bërë thirrje përkrahësve dhe sipmatizantëve të saj në këtë komunë, që të përkrahin dhe të votojnë kandidatin, i cili është regjistruar i pavarur, por që në fakt ai është pjesë e strukturave të PD-së dhe ka mbështetjen përfundimtare të saj. Vetëm pak ditë më parë, ka qenë kandidati i “Aleancës për qytetarin” ai që e bëri publike këtë çarje të koalicionit, pasi Xhurreta është përfaqësues i Partisë Republikane. Veprimet e fundit të krerëve më të lartë të PD-së, të cilët dolën publikisht në fushatë përkrah kandidatit të pavarur, Besnik Tahiri, Xhurreta i quajti “prerje në besë”. Xhurreta pohon se më 28 mars, me një shkresë të firmosur nga kryeministri Sali Berisha, është vendosur që Qamil Xhureta si përfaqësues i Partisë Republikane të jetë kandidat për kryetar komune në Bërdicë, nën siglën e “Aleancës për qytetarin”. Por, sipas tij, prerja në besë erdhi pasi nuk u zbatua në Shkodër ajo marrëveshje e bërë në Tiranë. Madje në lidhje me konfliktin PD-Xhurreta, u shpreh edhe vetë kreu i republikanëve, Fatmir Mehdiu, i cili gjatë një takimi elektoral ditën e shtunë në qytetin e Shkodrës u bëri thirrje të pranishmëve dhe përkrahësve të PD-së që të votojnë Qamil Xhurretën, ashtu siç është rënë dakord që me 28 mars. Ndërkohë që, të martën paradite PD-ja në Shkodër ka deklaruar publikisht distancimin dhe braktisjen e kandidatit të PR-së për komunën e Bërdicës dhe duke dalë në mbështetje të kandidatit të pavarur Besnik Tahiri. Pak orë më vonë, vetë kandidati Xhurreta reagoi, duke e quajtur deklaratën e PD-së si jashtë linjave zyrtare të kësaj force politike të përcaktuar në qendër nga kryeministri Berisha, njëkohësisht dhe kreu i PD-së së Shqipërisë. “Zëdhënësi i PD-së e ka cilësuar kandidatin e pavarur Besnik Tahiri kandidat të strukturave të PD-së, duke bërë një tradhti të hapur të degës së PD-së Shkodër ndaj demokratëve të zonës sonë, ndaj kryesisë së PD-së në qendër dhe ndaj vetë kryetarit Sali Berisha, i cili pritet në besë nga dega e PD-së Shkodër”, ka pohuar Xhurreta. Në kërkim të një mandati të tretë për këtë komunë, Xhurreta pohon se këto ditë nuk i ka munguar dhe mbështetja e strukturave të larta të PD-së në Tiranë, duke komunikuar me kryeministrin Berisha, kryetaren e Parlamentit Topalli dhe me deputetët e Shkodrës.
“Banorë të komunës Bërdicë, unë, Qamil Xhurreta, jam kandidat i koalicionit “Aleancës për qytetarin” dhe ju ftoj të qëndrojmë të bashkuar fort, sot më tepër se kurrë me njëri-tjetrin edhe këto ditë që kanë mbetur nga data e zgjedhjeve”, deklaroi mbrëmë Xhurreta.  Ndërsa dhe pak ditë na ndajnë nga 8 maji, Xhurreta do të hyjë në konkurrim me siglën e përfaqësimit nga “Aleanca për qytetarin”, pavarësisht distancimit që i bëri dje publikisht Partia Demokratike.

Gara në Tiranë ndërmjet 3 kandidatëve

Në njësitë vendore ku kandidojnë më shumë se dy rivalë, në krye është Tirana, ku njësoj si në zgjedhjet e katër viteve më parë, fleta e votimit do të jetë me tre emra. I pari për nga rendi alfabetik është Edi Rama, pas tij vjen kryetari i Partisë Komuniste, Hysni Milloshi dhe i treti, kandidati i koalicionit të djathtë, Lulzim Basha. Futja në garë e Milloshit u bë pas lëvizjes së LSI-së, e cila u dha komunistëve një anëtar të Këshillit Bashkiak për të shmangur mbledhjen e firmave.

Në Gjirokastër, 4 rivalë

Përveç Tiranës, përsa u përket bashkive që janë qendër qarku, është Gjirokastra ku nuk do të ketë përfaqësues vetëm nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste në garën e 8 majit. Pasi kanë arritur të mbledhin një për qind të firmave të votuesve të kësaj zone, do të kandidojnë në këto zgjedhje edhe Marenglen Koçiu, i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Vjollca Cekani, e pavarur. Gjithashtu, në Tepelenë, veç Sevo Micit të PD-së dhe Tërmet Peçit të PS-së, kandidon edhe Reshat Zika i LZHK-së.

Pakënaqësitë, 21 kandidatë ikin nga PS e PD

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkish dhe komunash nuk duket të ketë qenë i lehtë për Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Nga lista përfundimtare e kandidatëve që garojnë më 8 maj rezulton se nga PD-ja janë larguar 13 kandidatë, shtatë prej të cilëve i kanë fituar zgjedhjet katër vjet më parë. Nga Partia Socialiste janë larguar tetë kandidatë, tre prej të cilëve ishin fitues, nga PBDNJ 4 kandidatë, ku 3 ishin fitues.

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Premtimi i Bodes në shtëpinë e Dritëroit: Do ta bëjmë muze

Shtëpia ku ka lindur shkrimtari i njohur Dritëro Agolli do të rikonstruktohet dhe do të bëhet shtëpi muze. Premtimin e ka bërë dje ministri i Financave, njëherësh sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, gjatë fushatës elektorale në qarkun e Korçës. Në një takim në rrethin e Devollit, pikërisht në fshatin Menkulas, ku ka lindur shkrimtari, Bode ka parë nga afër ambientet e brendshme të shtëpisë. Gjatë komunikimit me banorët e kësaj zone, pjesë e komunës Miras, ministri i Financave ka premtuar dhënien e fondit për rikonstruksionin e banesës deri më 13 tetor, kur është edhe 80-vjetori i lindjes së shkrimtarit të njohur. Dritëro Agolli ka qenë herë pas here në qendër të vëmendjes së mediave me qëndrimet e tij lidhur me situatën në Partinë Socialiste. Në disa intervista për gazetën “Panorama”, patriarku i PS-së, i ka bërë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga greva e urisë, si dhe të zgjedhë mes Bashkisë dhe partisë.

© Panorama.al

Te lidhura