Fadil Nasufi fiton një tjetër mandat për drejtimin e Bashkisë së Beratit, falë votave që i besuan qytetarët e saj.Ai arriti të merrte 10148 vota, kundrejt 9271 votave që mori kandidati i Partisë Demokratike, Ilir Deçolli. Procesi i numërimit përfundoi dje në orët e pasdites, ku ndryshe nga precedentët e zgjedhjeve të mëparshme, nuk u shënua asnjë incident. Ndërkaq, në Skrapar, me siglën e koalicionit të djathtë ka dalë fitues kandidati i LSI-së, Nesim Spahiu. Ashtu sikurse edhe në mjaft rrethe të tjera të vendit, edhe në qarkun e Beratit janë shënuar përmbysje të bastioneve. Edhe gjatë numërimit të votave për Bashkinë e Beratit, vetë kreu i saj, Fadil Nasufi, është habitur kur ka dalë me minus në disa lagje të cilat konsideroheshin si bastione të së majtës. Madje kandidatët e të dy subjekteve politike kanë fituar vota të bastioneve kundërshtare. Ky fenomen ka vijuar edhe në komunat e këtij qarku, ku 4 vite më parë kishin fituar të majtët, por tashmë çdo gjë është përmbysur. Partia Socialiste si bastion të saj ka pasur lagjen “Uznovë”, ku kandidati i majtë Nasufi dhe mbështetësit e tij i kishin të sigurta votat e saj. Por gjatë procesit të numërimit është vënë re se kjo zonë e kishte shpërndarë votën e saj për të dy kandidatët. Kjo ka lënë të befasuar kreun e Bashkisë, Nasufi, i cili një mandat më parë e kishte fituar pikërisht edhe falë votave të kësaj lagjeje. Ndërkaq, kandidati Ilir Deçolli ka mbetur i befasuar gjithashtu nga votuesit e Uznovës, prej së cilës priste të merrte shumë më pak vota. Ky fenomen u pa edhe në lagjen “Çelepias”, e cila ka qenë bastion i së djathtës, ku edhe banorët e kësaj zone e kanë ndarë votën ndërmjet kandidatëve. Në përfundim të rezultatit, Fadil Nasufi arriti të marrë fitoren me 877 vota më shumë se kundërshtari i tij, Ilir Deçolli.
Në rang qarku, nga 5 bashki që ka Berati, katër prej tyre i ka fituar PS-ja. Bashkinë e Beratit, Poliçanin, Urën- Vajgurore dhe Kuçovën i fituan kandidatët e “Aleanca për të ardhmen”. Ndërsa në Skrapar fitoi “Aleanca për qytetarin”, nëpërmjet përfaqësuesit të LSI-së. Nesim Spahiu arriti të fitonte 1710 vota, ndërsa Rezart Hoxha, kandidat i Partisë Socialiste, ka fituar 1200 vota. Është për t’u theksuar se gjatë procesit të zgjedhjeve dhe të numërimit, në qarkun e Beratit nuk janë shënuar incidente të rënda. Veç disa sporadike, të cilët nuk e kanë prishur gjithsesi procesin zgjedhor.
BERAT
Skrapar
Nesim Spahiu, LSI, 1710 vota
Rezart Hoxha, PS, 1200 vota
Poliçan
Adriatik Zotka, PS, 1270 vota
Caush Qato, PR, 1117 vota
Ura -Vajgurore
Syrja Ormenaj, PS, 2369 vota
Thoma rumnici, LSI, 2099 vota
Kuçovë
Bardhyl Gjyzeli, PS, 4871 vota
Selfo Kapllani, LSI, 4121 vota
Komunën Otllak, fitues kandidati i PS
Komuna Velabishtë, Kastriot Rrapaj, LSI
Komuna Kutalli, Shpëtim Vrapi, PS
Komuna Perondi, Raxhep Hadëri, PD
BERAT/ DILAVER XHELILI
© Panorama.al











