
LSI-ja fitoi dje Këshillin e qarkut të Beratit, me katër votat e rrjedhura të PS-së. Petrit Sina, kreu i degës së LSI-së së Beratit, fitoi me vota të fshehta përballë kandidatit tjetër, deri dje kryetar i Këshillit të qarkut të Beratit, Pelivan Shatri.Sina arriti të siguronte shumicën, pasi nga 51 vota, mori 27 prej tyre. Ndonëse u shpresua nga Aleanca për të Ardhmen që të merrte këtë post të rëndësishëm në qark, pasi kishte 27 këshilltarë kundrejt 24 të Aleancës për Qytetarin, ndodhi pikërisht e kundërta, pasi tri vota kaluan në favor të Sinës. Humbja e qarkut solli iritimin e anëtarëve të majtë, humbje që, sipas tyre, erdhi si pasojë e qejfmbetjeve dhe rrjedhjes së votave në radhët e tyre, duke çuar në ndryshimin e kreut të qarkut të Beratit. Për këtë post konkurruan dy nga figurat më të njohura në qarkun e Beratit, Pelivan Shatri, kryetari i qarkut deri një ditë më parë, dhe Petrit Sina, me profesionin jurist, njëkohësisht sekretari i Prefekturës dhe kreu i forcës politike të LSI-së në Berat.

Mbledhja filloi në orën 10:00, pas prezantimit të kandidatëve. Sipas rregullit, është zgjedhur komisioni i zgjedhjeve e më pas u kalua në procesin e votimit të fshehtë. Për rreth tri orë është bërë votimi, duke mos u shënuar asnjë incident. Pikërisht pas votimit dhe nisjes së numërimit u mësua dhe surpriza. Pas tri orësh u zbulua se kandidati Sina kishte fituar 27 vota kundrejt kandidatit Pelivan Shatri, i cili mori 24 vota. Procesin e ndoqën nga afër kryetari LSI-së, Ilir Meta, si dhe ministrat Nasip Naço e Genc Pollo, bashkë me deputetët socialistë, Marko Bello, Erjon Braçe, Ermonela Fela dhe Fidel Ylli. Pas këtij rezultati, të majtët organizuan një mbledhje urgjente për të analizuar rrjedhjen e votave, si dhe kërkuan në mes tyre “tradhtarët”. Debatet u bënë në prezencë të deputetëve socialistë, të cilët ndoqën zhvillimin e mbledhjes dhe votimet. Madje, deputeti Braçe reagoi dhe në rrjetin social “Facebook”, duke deklaruar se ata që tradhtuan reaguan kështu në shenjë inati, fyerje apo si pjesë të një skeme shantazhi. “Ju pata thënë: Tradhtia është kthyer në sistem në PS! Udhëheqja më vuri dikë nëpër gazeta të më shante. Ja pasoja”! Kështu shprehej dje në statusin e tij në rrjetin social, deputeti Erjon Braçe. Ndërkaq, fituesi i postit të Këshillit të qarkut, Petrit Sina, u shpreh se do të punonte për të ndryshuar qarkun dhe se kishte projektet e duhura për këtë. Pelivan Shatri, pas humbjes së qarkut, ka përshëndetur në prani të të gjithëve fituesin, duke u shprehur se “mua nuk më mundi e djathta, por e majta. Katër anëtarë të Këshillit votuan kundër meje. Gjithsesi, jam krenar në 8 vjet të punës sime si drejtues i qarkut”.
Fier, e djathta humbet Këshillin e Qarkut në një mbledhje maratonë

FIER – E djathta humbet drejtimin e Këshillit të qarkut të Fierit. Kandidati i PS-së, Vangjel Ndreko, u emërua kryetar i këtij këshilli, pasi arriti të marrë 54 vota kundrejt 42 votave të rivalit të tij të djathtë, Artur Shehu. Mbledhja e djeshme e Këshillit të qarkut ka qenë maratonë, e nisur që paradite, për të vazhduar deri në mesnatën e mbrëmshme. Vetëm pas orës 21:00 u arrit të votohej kreu i këtij këshilli, ku me 12 vota më tepër u zgjodh kandidati i PS-së, Ndreko, i cili mban postin e drejtorit të Ndërmarrjes së Pastrimit. Konkurrenti i fortë përballë tij ka qenë Shehu, drejtor i Shëndetit Publik në Fier. Gjatë mbledhjes u ra dakord që të propozoheshin emrat e grupimeve që do të garonin për kryetarin e Këshillit të qarkut. Kështu, nga e majta u propozuan dy emra: Vangjel Ndreko i PS dhe Edi Xhafa i PSM (Partia Socialiste e Moderuar), ndërsa nga PD-ja u propozua emri i Artur Shehut, i cili aktualisht drejton Drejtorinë e Shëndetit Publik. Pas votimit rezultoi që Artur Shehu (PD) kishte marrë 37 vota, Vangjel Ndreko (PS), 36 vota dhe Edi Xhafaj (PSM), 23 vota. Por ky rezultat nuk mund të prodhonte asnjë fitues, pasi nuk kishte arritur 51 për qind asnjëri nga garuesit. Fituesi duhet të merrte të paktën 49 vota që të gëzonte të drejtën e fitores së kreut të qarkut. Në këto kushte, komisioni i numërimit të votave deklaroi se do të niste sërish gara me dy kandidatët në balotazh, Artur Shehu dhe Vangjel Ndreko, nga ku ky i fundit doli fitues me 12 vota më shumë. Në sallë dje ishin të pranishëm të gjithë deputetët e qarkut të Fierit nga të dyja kahet politike. Rreth orës 20:30, për rreth 10 minuta u ndërpre edhe energjia elektrike duke sjellë tension në sallë, por më pas gjithçka ka vijuar normalisht dhe humbja e kandidatit të PD-së nuk shkaktoi asnjë reagim nga anëtarët e djathtë, duke qenë se të majtët e kishin shumicën e anëtarëve në Këshill. m.r
BERAT/ DILAVER XHELILI
© Panorama.al











