BERAT – Në fund të vitit, 40 punonjës të Bashkisë së Beratit do të largohen nga puna. Ky fakt u bë i ditur dje gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku në rend të ditës ishte dhe miratimi i strukturës së organikës. Gjatë zhvillimit të mbledhjes ka pasur shumë debate nga këshilltarët e djathtë. Ata i kanë kërkuar llogari shumicës së majtë dhe kryebashkiakut Fadil Nasufi mbi heqjen nga puna të punonjësve të ruajtjes së objekteve, atyre të gjelbërimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve dhe sa është vlera financiare që përfiton Bashkia nga shkurtimi i tyre. Kryebashkiaku Nasufi është përgjigjur se shkurtimet po diktohen nga mungesa e fondeve apo probleme të tjera. Sipas tij, më tej shkurtimet do të vazhdojnë në nivel të administratës së Bashkisë. Nasufi deklaroi se shkurtimet do të marrin për bazë një sërë faktorësh, që nga punësimi në familje e deri tek pozicione pune që nuk kanë rendiment. Ai dha si shembull Qendrën e Kulturës, që sipas tij nuk ka sjellë asnjë të ardhur. “Vitin e ardhshëm, fondi që kemi mjafton për të paguar rrogat deri në mars. Duhet të vjelim patjetër 134 milionë lekë të taksave lokale, ndryshe do të mbetemi pa paga. Nga mungesa e fondeve kemi vetëm 1 nënkryetar bashkie”, u shpreh kryebashkiaku Nasufi. Një tjetër faktor negativ, që sipas tij është rrjedhojë e mungesës së fondeve, lidhet dhe me mospasjen e një muzeu historik në Berat, edhe pse vitin e ardhshëm është jubileu i shpalljes së pavarësisë. d.xh











