
Rezultatet paraprake të numërimit të votave në Berat nxjerrin në avantazh kreun aktual të Bashkisë, Fadil Nasufi.Deri në orët e vona ishin numëruar vetëm 38 nga 74 kuti votimi gjithsej. Shifrat e deritanishme nxjerrin fitues kandidatin e PS-së, Nasufi, me 5131 vota, kundrejt kandidatit të “Aleanca për qytetarin”, Ilir Deçolli, i cili ka marrë 4185 vota. Këto janë rezultate që nuk mund të vulosin ende emrin e fituesit për sa kohë që ende nuk janë numëruar as gjysma e kutive të votimit.
Procesi i numërimit për Bashkinë e Beratit dje vijoi normalisht. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, jashtë dyerve të KZAZ-ve nuk ka pasur militantë në përkrahje të njërit apo tjetrit kandidat. Disa prej tyre kanë qëndruar në sallën e numërimit ku kanë pritur qetësisht numërimin nga anëtarët përkatës. Duket se qetësia ndërmjet përkrah-ësve është motivuar edhe nga qytetaria e vetë kandidatëve, të cilët e kanë ndjekur për një kohë të gjatë këtë proces në sallën e numërimit. Ata janë përshëndetur përzemërsisht me njëri-tjetrin, duke imponuar në këtë mënyrë veprime qytetarie edhe tek përkrahësit e tyre, duke shmangur përplasje e konflikte të mundshme. Ashtu sikurse procesi në tërësi i votimit, edhe numërimi ka vijuar normalisht pa incidente gjatë të gjithë ditës për Bashkinë e Beratit. Përjashtim bëri vetëm një rast në fshatin Liqethas, ku simpatizantët e LSI-së, kanë kërcënuar komisionerët. Por, pas ndërhyrjes së policisë, gjithçka mësohet se është zgjidhur qetësisht. Në garën për Bashkinë e Beratit janë kryetari aktual i saj, kandidat i Partisë Socialiste, Fadil Nasufi dhe kandidati Ilir Deçolli, i cili përfaqëson Partinë Demokratike. Në orët e pasdites, në këtë qark përfundoi procesi i numërimit në Bashkinë e Poliçanit dhe të Urës-Vajgurore, ku janë rikonfirmuar në detyrë kryetarët aktualë të tyre. Kështu, në Bashkinë e Poliçanit dje u shpall fitues Adriatik Zotka, përfaqësues i PS-së. Ai fitoi me 1270 vota, përballë kandidatit të Partisë Republikane, Çaush Qato, i cili mori 1117 vota. Edhe në Urën-Vajgurore, kryetari aktual i saj Syrja Ormenaj, kandidat i Partisë Socialiste fitoi me 936 vota, ndaj rivalit të tij të LSI-së, Thoma Ormenaj, i cili mori 879 vota. Në Bashkinë e Kuçovës, ka përfunduar numërimi i votave, ku ka dalë fitues Bardhyl Gjyzeli. Gjyzeli, kandidat i Partisë Socialiste, fitoi me 4871 vota, ndërsa Selfo Kapllani, kandidat i LSI-së, mori 4121 vota.
Në orët e mbrëmjes në KZAZ-në ku numërohen votat për Bashkinë e Beratit, numëruesit kanë shfaqur shenja lodhjeje, por gjithsesi ata kanë vijuar procesin deri vonë.
SKRAPAR
Bashkia e Çorovodës ka mbetur pezull, për shkak se në rrethana ende të paqarta, procesi i numërimit është ndërprerë që ditën e diel. Komisionerët nuk konfirmuan shkakun e ndërprerjes, por sipas burimeve pranë KZAZ-së në Skrapar, gjatë ditës së djeshme nuk është kryer numërimi i asnjë vote. Pritet që mosmarrëveshjet e mundshme ndërmjet komisionerëve të zgjidhen gjatë ditës së sotme dhe të rinisë numërimi. Në Çorovodë nuk ka shumë kuti, ndaj nëse nis numërimi, rezultati mund të jepet që sot.
BERAT
Poliçan
Adriatik Zotka, PS, 1270 vota
Caush Qato, PR, 1117 vota
Ura -Vajgurore
Syrja Ormenaj, PS, 2369 vota
Thoma rumnici, LSI, 2099 vota
Kuçovë
Bardhyl Gjyzeli, PS, 4871 vota
Selfo Kapllani, LSI, 4121 vota
BERAT/ DILAVER XHELILI
© Panorama.al











